Mashtronte biznese si “inspektor i shtetit”, arrestohet 26-vjeçari
Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Sarandë, pasi dyshohet se ka mashtruar dhjetëra biznese në disa qytete të vendit, duke u prezantuar në mënyrë të rreme si përfaqësues i institucioneve shtetërore.
Sipas të dhënave zyrtare, i riu shtirej si punonjës i IKMT-së, AKU-së, Tatim-Taksave dhe strukturave të tjera kontrolluese, duke u kërkuar subjekteve tregtare shuma parash në këmbim të shmangies së gjobave apo kontrolleve. Vlerat që ai përfitonte varionin nga 200 deri në 600 euro për çdo rast.
Arrestimi i tij u bë në flagrancë në Sarandë, teksa po merrte 56 mijë lekë të reja nga një qytetar. Shuma e përfituar u sekuestrua si provë materiale.
Nga hetimet paraprake rezulton se 26-vjeçari ka ushtruar të njëjtën skemë mashtrimi në disa qytete, përfshirë Gjirokastrën, Tepelenën, Përmetin, Vlorën, Himarën, Orikumin, Fierin dhe Beratin. Autoritetet po vijojnë punën për të identifikuar dhe dokumentuar raste të tjera të mundshme.
Policia u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të denoncojnë çdo rast të dyshimtë, duke garantuar reagim të shpejtë dhe trajtim sipas ligjit. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për vijimin e procedurave ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



