Mashtronte emigrantët, dërgohet për gjykim avokatja
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim avokaten A.B. (Alma Bala), e cila akuzohet se ka mashtruar një numër të konsiderueshëm qytetarësh, kryesisht emigrantë që i kërkonin ndihmë ligjore nga jashtë vendit.
Sipas hetimeve, avokatja dyshohet se u merrte klientëve shuma të mëdha parash, duke u premtuar se do t’i përfaqësonte në procese gjyqësore apo administrative. Por Prokuroria ka konstatuar se në shumë prej rasteve këto procese nuk ishin regjistruar fare. Për të krijuar përshtypjen e një pune të kryer, e pandehura u ka dhënë disa qytetarëve dokumente të falsifikuara, të cilat nuk përputheshin me asnjë procedurë reale.
Hetimit aktual i janë bashkuar edhe kallëzime të viteve 2019–2021, duke lënë të kuptohet se veprimtaria e dyshuar ka vijuar prej kohësh.
Në përfundim të hetimeve, ndaj saj janë ngritur akuzat për:
-
Mashtrim në më shumë se një rast
-
Mashtrim me pasoja të rënda
-
Falsifikim dokumentesh
Këto vepra dyshohet se janë kryer ndaj shtetasve që jetonin jashtë Shqipërisë, të cilët i kishin besuar avokates përfaqësimin dhe administrimin e çështjeve të tyre.
Prokuroria e Fierit deklaron se do të vijojë të ndjekë me prioritet rastet që dëmtojnë pasurinë dhe të drejtat ekonomike të qytetarëve, veçanërisht ato ku përfshihen profesionistë të sistemit të drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


