Mbahet Maratona në Tiranë, “Veliaj vrapon drejt maternitetit”
Kreu i bashkisë Erion Veliaj mirëpriti sot maratonën në fazën e fundit të saj. Teksa përshëndeti pjesëmarrësit nga e gjithë bota, nga Azia dhe përfaqësues edhe nga Lugina e Preshevës, Veliaj sqaroi arsyen se pse këtë vit nuk do të marrë pjesë në garë.
“Shumë më kanë pyetur nëse do marr pjesë në maratonë. Edhe unë do marr pjesë në maratonë, vetëm se do vrapoj për në maternitet meqë u bëra me djalë. Herën tjetër do kthehem dyfish në garë”, i pyetur se cili është emir i përzgjedhur për vogëlushin e sapolindur, Veliaj tha: “Këtë do ta them pas pak se dua ta konsultoj edhe mamanë. Por e sigurt që do të jetë një emër shqiptar, por edhe tirons”.
Prej orës 09:00 të ditës së sotme në kryeqytet po zhvillohet Maratona e Tiranës, e cila rrjedhimisht sjell devijimin e rrugëve për ata që qarkullojnë me makina.
Duke kërkuar ndihmën e qytetarëve të Tiranës, bashkia ka njoftuar se për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv disa segmente rrugore do të bëhen të pakalueshme.
Kështu për t’u hapur rrugën garuesve do të ndalohet qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Abdi Toptani”, “George Ë. Bush”, “Rruga e Barrikadave”, “Urani Pano”, “Ded Gjo Luli”, “Rruga e Kavajës” deri te kisha “Katolike” dhe kthim, “Ibrahim Rugova”, “Lek Dukagjini”, si dhe segmentet hyrëse rruga “Myslym Shyri” nga kryqëzimi i Drejtorisë së Policisë deri në qendër, “Rruga e Durrësit” nga kryqëzimi me rrugën “Mine Peza” deri në qendër, Bulevardi “Zogu I” nga rruga “Dervish Hatixhe” deri në qendër, “Rruga e Dibrës” nga “Selvia” deri në qendër, rruga “Luigj Gurakuqi” nga sheshi “Avni Rustemi” deri në qendër, duke filluar nga ora 05:00 e ditës së sotme deri në orën 14:00.
Edhe mjetet e emergjencës apo policia nuk do të mund të kalojnë në disa rrugë si në “Unazën e Mesme”, përveç segmentit ura e “Drejtorisë së Policisë” deri tek “Rruga e Elbasanit”, rruga “Sami Frashëri”, rruga “Papa Gjon Pali II”, “Rruga e Elbasanit”, rruga “Vaso Pasha”, rruga “Myslym Shyri” deri tek rruga “Sami Frashëri”, rruga “Hoxha Tahsin” deri tek sheshi “Avni Rustemi”.
Aksesi hyrës për në rrugën “Skerdilajd Llagami” do të kryhet nga rruga “Faik Konica”, e cila do të kthehet provizorisht me dy sense lëvizjeje. Ndërkohë, lëvizja e mjeteve të transportit publik do të bëhet: “Rruga e Elbasanit” do të devijohet tek rruga “Arben Broci”; rruga “Hoxha Tahsin” do të devijohet tek sheshi “Avni Rustemi”; “Rruga e Dibrës” do të devijohet tek “Medreseja”; “Rruga e Kavajës” do të devijohet tek “Fabrika e Bukës”; bulevardi “Zhan D’Ark” dhe Bulevardi “Bajram Curri” do të devijohet tek ura e “Drejtorisë së Policisë” dhe tek ura e “Rrugës së Elbasanit”; rruga “Sulejman Delvina” do të devijohet te sheshi “Willson”; “Rruga e Durrësit” do të devijohet tek sheshi “Karl Topia” dhe Bulevardi “Zogu I” do të devijohet tek rruga “Dervish Hatixhe”.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



