E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Me çfarë lidhet aksioni kundër grupit të Inez Hajrullës?
Lajme

Me çfarë lidhet aksioni kundër grupit të Inez Hajrullës?

Artan Hoxha zbulon lidhjet me zhdukjen e Elvis Troqes

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar aksionin e fundit të zhvilluar në Vlorë kundër një grupi kriminal që lidhet me emrin e Inez Hajrullas, i njohur në qytet si një nga personazhet e botës së krimit dhe i përfolur për lidhje të forta me struktura të policisë.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Hoxha tha se operacioni i zhvilluar nga SPAK lidhet me një ngjarje të ndodhur disa vite më parë, konkretisht me rrëmbimin e Elvis Troqes, i cili u mor me forcë dhe më pas u zhduk pa lënë gjurmë.

Sipas gazetarit, rrëmbimi i Troqes ishte një ngjarje shumë e rëndë që tronditi qytetin në atë kohë. Ai u rrëmbye në mes të qytetit, u torturua dhe më pas trupi i tij nuk u gjet kurrë.

Hoxha theksoi se në tetë vitet e fundit Vlora nuk ka përjetuar zhvillime të ngjashme kriminale në atë nivel dhe se aksioni i fundit i autoriteteve mund të ketë ndikim në balancat e grupeve kriminale në qytet.

Sipas tij, hetimi që po zhvillohet tani është në thelb një hetim për ngjarje të vjetra dhe mbetet për t’u parë nëse operacioni do të ndikojë në prishjen e ekuilibrave mes grupeve kriminale.

“Është hera e parë që zhvillohet një aksion i tillë, por bëhet për ngjarje që kanë ndodhur vite më parë. Nëse ky operacion prek balancat mes grupeve kriminale, kjo mund të shihet më vonë, nëse do të ketë përplasje apo akte të tjera dhune në qytet,” u shpreh gazetari.

Ai shtoi se aktiviteti i SPAK në vitet e fundit është përqendruar kryesisht në veri dhe në Shqipërinë e mesme, ndërsa sipas tij, strukturat më të fuqishme të krimit të organizuar në disa zona të tjera të vendit ende nuk janë goditur.

Në analizën e tij, Hoxha përmendi edhe Fier si një nga zonat ku historikisht kanë vepruar grupe të rëndësishme të krimit të organizuar, të cilat sipas tij kanë operuar pa tërhequr shumë vëmendje.

Ai shtoi se operacioni i fundit në Vlorë është ndihmuar edhe nga të dhëna që kanë dalë nga përgjimet e platformës së koduar Sky ECC, e cila është përdorur nga shumë grupe kriminale në Evropë.

Gazetari kujtoi se rrëmbimi i Elvis Troqes ishte dokumentuar prej tij që në vitin 2018, përmes pamjeve që tregonin momentin kur ai u mor me forcë në mes të qytetit.

Sipas tij, familja e viktimës për vite me radhë ka kërkuar të paktën gjetjen e trupit të tij. Babai i Troqes, tha Hoxha, ndërroi jetë pa arritur të mësonte fatin e të birit.

Gazetari shtoi se në atë kohë u tentua edhe ndërmjetësim për të gjetur trupin e viktimës, duke komunikuar me strukturat lokale të policisë, por pa rezultat.

Sipas tij, publikimi i materialeve dhe informacioneve në atë kohë kishte si qëllim edhe parandalimin e rrëmbimeve të tjera, pasi më parë në qytet kishin ndodhur disa raste të ngjashme.

Në operacionin e fundit të autoriteteve janë arrestuar disa persona, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjithashtu, gjatë aksionit janë ndaluar edhe dy punonjës policie, pasi dyshohet për lidhje me grupin kriminal.

Hoxha theksoi se më herët është folur për lidhje të forta të grupit të Inez Hajrullas me elementë brenda policisë.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën se si informacione nga hetimet kanë dalë në media, duke theksuar se publikimi i të dhënave që konsiderohen sekrete mund të dëmtojë hetimet dhe të ndikojë në situatën e sigurisë.

Gazetari përmendi edhe disa ngjarje të rënda kriminale që sipas tij mbeten ende pa autor, përfshirë vrasjen e Gëzim Sinomati në vitin 2024 në Vlorë, ku viktima u qëllua me snajper dhe çështja ende nuk ka një përgjigje përfundimtare nga hetimet.

Artan Hoxha: Aktiviteti kryesor i SPAK në këto 6 vite nisi nga veriu dhe vazhdoi në Shqipërinë e mesme, por ende nuk ka goditur strukturat më të mëdha kriminale në vend. Deri tani janë goditur ato struktura apo grupe kriminale që janë problem për vendet e BE. Këto lloj struktura bëjnë trafik në BE dhe sjellin para në Shqipëri. Vendet e BE po përdorin SPAK për ti goditur këto grupe që operojnë në vendet e tyre.

Çfarë u vu re, SPAK vajti deri në Lushnje por nga Fieri jo.

Fieri është universiteti i krimit të organizuar në Shqipëri, ata janë themeluesit, avangardët që luajnë pjesën e luanit dhe nuk bëjnë zhurmë. Ata janë si miu i çalë pas dere dhe SPAK nuk ka zbritur. E njëjta gjë dhe me Vlorën. Aksioni i SPAK vjen si pasojë e të dhënave që vijnë nga përgjimet në Sky Ecc.

Është goditur një grup që në shtator në 2018 e kam treguar me video si u rrëmbye Elvis Troqe në mes të qytetit dhe nuk u gjet më.

Ajo e kreu shërbimin e vet, pasi pas asaj nuk pati më rrëmbime, kishin ndodhur 16 shërbime. Unë se di cka pritur SPAK nga ajo kohë, por 8 vjet para e kam nxjerrë.

Babai i tij ka shkuar në botën tjetër me fotografinë e të birit. Ja kanë rrëmbyer ditën e fejesës, e rrëmbyen, e torturuan dhe iu zhduk kufoma. Ai ishte i bindur që e kishin vrarë por donin kufomën.

Bëmë negociata për të gjetur kufomën duke komunikuar me policinë e Vlorës, dhe kur u bindëm që nuk do të kishim më kufomë e e bëmë publikimin duke shpëtuar jetët e të tjerëve. Dhe tani bëhet ky operacion. Ata që ishin kapur, janë në burg, ata që janë në kërkim i shpalli në kërkim, kapi 2 punonjës policie. Është thënë që grupi i Inez Hajrullës kishte lidhje të forta në polici.

Në rastin konkret është hera e parë që bëhet ky aksion, por për ngjarje të 6 viteve më parë pra jemi në një hetim historik. Nëse bëhet për të goditur njërën palë e prishur ekuilibrat, kjo do kuptohet nëse do të ketë vrasje në Vlorë dhe do të goditen njerëz të këtij grupi që u godit tani, do të shihet se aksioni ndikoi për të prishur balancat dhe ka vënë në rrezik jetë të tjera.

SPAK e GJKKO që kanë një vendim të vetin, lejoi që të ridhnin në media informacione që janë secrete, që dekonspirojnë hetimet e SPAK.

Ata nxjerrin ata që duan. Kur ti nuk parandalon dot, vrasja më e bujshme e pazbuluar është vrasja e Gëzim Sinomatit, në janar të 2024 pa autor, me snajper. Vrasja tjetër që u zbulua këto ditë, vrasja që kishte ndodhur në Vlorë nga qitës rumun. Nëse ti I hedh benzinë zjarrit ti e agravon.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.