Mekanizmi mbi 120-vjeçar i orës së Shkodrës, u ruajt nga një familje
Kreu i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka njoftuar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se ka gjetur mekanizmin e orës së vjetër të qytetit të Shkodrës.
Ai tregon se mekanizmi mbi 120-vjeçar u gjet në një mur pallati dhe ishte ruajtur falë familjes Kurraj. Beci ka theksuar se ky mekanizëm po bëhet pjesë e fondit të muzeut të qytetit.
“Kurrë s’e mendova se do ta gjenim mekanizmin e vjetër të sahatit aty në kullën e vogël ngritur enkas mbi pallat, kur i kërkova një punonjësi të bashkisë të shkonte ta verifikonte. Mekanizmi mbi 120 vjeçar i sahatit ishte akoma aty, falë familjes Kurraj dhe zonjës Suzana që e kishin ruajtur në vite. M’u duk se zbuluam një thesar të qytetit, ndaj dua të shpreh edhe publikisht mirënjohjen time dhe në emër të Bashkisë Shkodër për qytetarinë e treguar nga kjo familje gjatë gjithë këtyre viteve.Falë orëndreqësit Besnik Sahatçia, mirëmbajtësit Ermir Dibra dhe restauratorit Petrit Bilali mundëm të mësonim historikun e këtij sahati dhe vlerat që ai mbart, por edhe të realizonim pastrimin e mirëmbajtjen e mekanizmit të tij. Me këtë nismë të thjeshtë, por i bindur që kam mbështetjen e qytetarëve shkodranë, kam kënaqësinë t’ju njoftoj se ky mekanizëm po bëhet pjesë e fondit të Muzeut të qytetit. Njëkohësisht dua të ndaj me ju lajmin e mirë se po punojmë për rindërtimin e plotë të Sahatit të Shkodrës për ta bërë funksional në të njëjtin vend. Dhe së fundi dua t’ju ftoj ta ndiqni këtë reportazh modest që u prodhua nga Bashkia Shkodër, si një provë e patjetërsueshme e shpirtit shkodran, gjithmonë i mbushur me qytetari e dashuri”, u shpreh ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



