Memaliaj kundër “Territoriales”, refuzon bashkimin me Tepelenën
Këshilli Bashkiak i Memaliajt ka votuar kundër bashkimit të kësaj bashkie me Tepelenën, në kuadër të draft-projektit për ndryshimin e organizimit territorial.
Në mbledhjen e këshillit morën pjesë 10 nga 15 anëtarët. Nëntë prej tyre votuan kundër draft-projektit, ndërsa një këshilltar abstenoi. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk morën pjesë në votim.
Vendimi erdhi pas dëgjesave publike të zhvilluara në të pesë njësitë administrative të Bashkisë Memaliaj, ku banorët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj bashkimit me Tepelenën.
Gjatë konsultimeve me komunitetin, shqetësimet kryesore të ngritura lidhen me ruajtjen e shërbimeve pranë qytetarëve, rrezikun e thellimit të shpopullimit dhe pasojat e mundshme ekonomike që ndryshimi territorial mund të sjellë për bizneset dhe jetën lokale.
Me votimin e fundit, Këshilli Bashkiak i Memaliajt ka formalizuar qëndrimin e tij kundër draft-projektit, në pjesën që parashikon ndryshimin e organizimit territorial të kësaj bashkie.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



