Merrte para për të bërë eko, arrestohet mjeku imazherist (EMRI)
Pas një hetimi 4-mujor të zhvilluar në bashkëpunim mes Policisë dhe Prokurorisë së Fierit, është finalizuar operacioni policor i koduar “Imazheria”, që çoi në pranga një mjek të spitalit rajonal.
Në pranga ka rënë Gëzim Taullaj, 66 vjeç, me detyrë mjek imazherist në spitalin e Fierit, i cili u kap në flagrancë në momentin që po merrte një shumë parash nga një pacient për të kryer një eko abdominale.
Hetimet kishin nisur pas informacioneve operative se mjeku u kërkonte pacientëve pagesa të paligjshme për ekzaminimet mjekësore. Nga verifikimet e kryera u konstatua gjithashtu se ai shpërdoronte detyrën duke ofruar shërbime edhe në dy klinika private gjatë orarit zyrtar të punës në spitalin publik.
Gjatë kontrollit të banesës së 66-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi si prova materiale:
-
shumën që mjeku kishte marrë nga pacienti,
-
1.857.000 lekë të reja,
-
39.155 euro,
-
2.370 paund dhe
-
75 dollarë amerikanë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin penal për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



