Mes fjalimeve përlotëse, varroset Shpat Kasapi
Pas ceremonisë përkujtimore në Pallatin e Kulturës në Tetovë, këngëtari i ndjerë Shpat Kasapi u përcoll për në banesën e fundit, i shoqëruar nga një numër i jashtëzakonshëm qytetarësh.
Familjarë, miq, kolegë të skenës dhe admirues të muzikës së tij u bashkuan në kortezhin mortor që përshkoi rrugët e Tetovës, ndërsa arkëmorti i mbuluar me flamurin kombëtar u ndoq në heshtje dhe me lot në sy.
“Ishe njeri me zemër të bardhë…”, u shpreh motra e Shpatit gjatë fjalimit të saj, duke prekur të gjithë të pranishmit.
Në varrezat e qytetit, ku u krye ceremonia e varrimit, dhimbja ishte e prekshme. Qindra persona kryen homazhet e fundit mes lutjesh dhe ngushëllimesh, ndërsa humbja e papritur e artistit 40-vjeçar ka tronditur publikun dhe komunitetin artistik.
E prekur thellë, këngëtarja Big Mama mbajti një fjalim lamtumire plot emocione, duke e cilësuar Shpatin një mik të përjetshëm:
“Kjo nuk është lamtumirë, por një shihemi përsëri…”, tha ajo mes lotësh, teksa kujtoi kujtimet e fëmijërisë dhe fillimet e tyre artistike.
Më herët, edhe motra e tij Jehona u shfaq e tronditur, duke premtuar se do të mbajë amanetin e Shpatit për djalin e tij, Roelin.
Ndërkohë, bashkëshortja Selvija, tepër e prekur, qëndroi për minuta të tëra pranë trupit të tij gjatë homazheve, duke i dhënë lamtumirën e fundit me lot e dhembje.
Shpat Kasapi ndërroi jetë më 26 nëntor, në moshën vetëm 40-vjeçare, si pasojë e një sulmi në zemër, duke lënë pas një boshllëk të madh tek familja, miqtë dhe publiku që e ka ndjekur për vite.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



