Meta, akuza Veliajt: Po grabit qindra miliona euro për inceneratorë
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas denoncimit të kandidatit të PD-së për kryetar bashkie të Durrësit, Igli Cara, i cili pak ditë më parë ka publikuar disa video në rrjetet sociale, ku tregon se si ujërat e kontaminuara të Landfillit të Sharrës përfundojnë në Erzen, e më pas në Gjirin e Ishmit në Durrës.
Meta e ka quajtur skandaloze situatën dhe ka akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj, duke thënë se po grabit qindra miliona euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë dhe se Bashkia e Durrësit po shpërdoron miliona euro për të çuar plehrat në Landfillin e Tiranës duke dëmtuar edhe shëndetin e qytetarëve.
Meta shkruan se Veliaj do të marrë përgjigjen e merituar më 14 maj kur pushteti lokal do t’u kthehet qytetarëve.
“Solidaritet dhe mbështetje të plotë për shqetësimin e ngritur nga Kryebashkiaku i ardhshëm i Durrësit, z.Igli Cara për Ujërat e kontaminuara të Landfillit të Sharrës, që përfundojnë në Erzen dhe më pas në Gjirin e Ishmit në Durrës.
Ky problem është denoncuar vazhdimisht edhe më parë nga komuniteti i Ishmit dhe Shoqatat Mjedisore.
Kjo situatë skandaloze ku Bashkia e Veliajt grabit qindra milion euro për inceneratorë, që nuk ekzistojnë dhe Bashkia e Durrësit, që shpërdoron miliona euro për të çuar plehrat në Landfillin e Tiranës duke dëmtuar edhe shëndetin e qytetarëve me ndotjen e ujërave të lumenjve, do ta marrin përgjigjen e merituar më 14 maj kur pushteti lokal do t’u kthehet qytetarëve.
Qytetarët janë të parët!”, shkruan Meta në rrjetet sociale./
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



