Presidenti Ilir Meta publikon një video kur ishte në Kuvend dhe thotë se ai gjithmonë e ka bërë të qartë se mes Pushtetit dhe Demokracisë zgjedh të dytën, sepse pushtet ka dhe në vendet jo demokratike.
“Unë u kam bërë të qartë se midis Pushtetit dhe Demokracisë, kam zgjedhur gjithmonë Demokracinë se pushtet ka edhe në vendet jodemokratike, ku të drejtat e qytetarëve shtypen e dhunohen. Tani ju e kuptoni se çdo njeri që nuk blihet e frikësohet prej tij është “i shkalluar”, shkruan ndër të tjera Meta.
Duke iu drejtuar kryeministrit Rama si “kryepinoku rilindas”, kreu i shtetit i kërkon atij të reflektojë për 5 qershorin sepse në 25 prill s’do ketë vetëm “president të shkalluar por dhe 3 milion shqiptarë të shkalluar”.
“Meqënëse Kryepinoku Rilindas u justifikua për zgjedhjen e detyruar para tre vitesh të “Presidentit të shkalluar”, më duhet t’ju kujtoj të gjithë socialistëve se Ilir Meta ka mbajtur çdo premtim për mbrojtjen e Kushtetutës dhe interesit kombëtar.
Bën mirë të reflektojë dhe të respektojë 5 Qershorin se përndryshe në 25 Prill do të ketë jo vetëm një President “të shkalluar”, por edhe tre milionë shqiptarë “të shkalluar” që do shkallmojnë me votë dhe çdo mjet legjitim ëndrrat e tij për të blerë e trembur popullin shqiptar për një grusht oligarkësh e banditësh”, përmbyll Meta dhe ndan videon e mëposhtme.



