Milani kërkon Brojën, zbulohet levizja e klubit italian
Armando Broja vazhdon ta ketë ende të paqartë të ardhmen e tij. Sulmuesi i Shqipërisë, është grumbulluar nga trajneri Enzo Maresca për fazën përgatitore në SHBA, por përsëri gjasat që të qëndrojë te londinezët janë të pakta.
Interesimet për lojtarin janë të shumta, ndërsa raportohet nga Italia, se Milani ka rinisur bisedimet me Chelsea-n, për 22-vjeçarin.
Pas Moratës, klubi kuqezi dëshiron të afrojë edhe një tjetër sulmues, ku prej kohësh tentohet Fulkrug i Borussia Dortmund.
Një marrëveshje për lojtarin gjerman po bëhet e vështirë dhe për këtë arsye kuqezinjtë kanë hedhur sytë nga Broja.
“Dy klubet i janë rikthyer dialogut për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Armando Broja i cili ende nuk ka arritur marrëveshje me Evertonin pas interesit të fortë të shfaqur në dy javët e para të qershorit. Armando ka një motivim të jashtëzakonshëm, ai dëshiron të kompensojë sezonin e fundit të errët mes dëmtimit dhe një huazimi të shkuar keq te Fulham”, shkruhet në artikullin e “Calciomercato” në Itali.
Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare, sa i përket sulmit të Milanit, por edhe të ardhmes së Brojës, që ende mbetet në ajër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



