Minatorët hyjnë në Kryeministri takojnë FUGEN, kreu i sindikatës: Ja çfarë do të ndodhë të mërkurën
Një grup minatorësh dhe përfaqësues të sindikatave kanë kërkuar sot të hyjnë në Kryeministri në shenjë proteste ndaj mungesës së statusit të minatorit.
Ata kanë kërkuar të takohen me stafin e kryeministrit Edi Rama për gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa pas takimit, Fiqiri Xibri, kreu i sindikatës së minatorëve 1991 informoi për rezultatet.
“Diskutuam për mosveprimet e deritanishme të qeverisë. Nuk janë bërë hapat e nevojshëm për statusin e minatorit dhe mundësitë që janë për ta përfunduar në afatin minimal të mundshëm. U diskutua që afati minimal është me buxhetin e vitit të ardhshëm, por koha që ka mbetur është koha e duhur për të miratuar aktet e nevojshme. U diskutua me stafin e ngushtë të kryeministrit me dijeninë e tij. Na thanë se të mërkurën do bëjmë një takim të madh të përfaqësuesve të minatorëve me kryeministrin dhe të gjithë ministrat e linjës. Do diskutohet drafti i tyre i dakordësuar por që është mbajtur peng për shkak të mos vlerësimit të kostos. Të mërkurën do diskutohet drafti që është propozuar që më parë dhe që është dakordësuar edhe me konfederatën e sindikatave.
Nëse të mërkurën nuk na pret më kryeministri dhe nuk ka dakordësi atëherë s’ka më kthim prapa, dy duar për një kokë”, deklaroi Xibri.
Për këtë takim ka reaguar edhe Endri Fuga, i cili tha se po vazhdon puna për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.
“Komunikimi me përfaqësuesit e minatorëve vazhdon, njësoj siç vazhdon puna për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare. Angazhimi i Kryeministrit maksimal”, shkruan Fuga në një postim në Twitter.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



