
Mosmiratimi i ‘Statusit të Minatorit’ nga ana e qeverisë, ka nxjerrë në protestë sindikatat e minatorëve përpara Kryeministrisë.
Mirëpo vetëm mëngjesin e sotëm, policia u ka kthyer përgjigje kërkesës për të zhvilluar protestën se nuk miratohet.
Pavarësisht kësaj, minatorët janë mbledhur për të protestuar dhe thonë se kjo është vetëm një protestë paqësore dhe s’e kuptojnë arsyen e refuzimit të kërkesës së tyre nga ana e policisë.
Taf Koleci, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së e Sindikatave të Punonjësve të Industrisë të Shqipërisë tha se protesta do të vazhdojë gjithsesi edhe pa lejen e policisë.
“Jemi brenda rregullave, është protestë paqësore, jo për të shkatërruar e djegur. Kërkojmë të drejtat tona. Minatorët kërkojnë statusin e tyre. Ne do ta vazhdojmë protestën. Kërkojmë një të drejtë që duhet të ishte dhënë që në fillim të demokracisë. Ne kemi bërë bisedime me ministrinë përkatëse dhe ka qenë zv.ministri në tavolinë dhe kemi rënë dakord për 11 pikat e statusit. Si status ka përfunduar, ka kaluar të gjithë institucionet por nuk e kuptojmë pse vjen ky ngërç. Ndaj ne do dalim në protestë para kryeministrisë që ky status të jepet në kohën sa më të shkurtër. Ne jemi të organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Taf Koleci.

“Kërkojmë miratimin sa më shpejt të statusit të minatorit. Se gjysma e minatorëve nuk janë gjallë dhe ata që kanë ardhur këtu janë me një këmbë në varr.”, tha një nga minatorët.



