Ministri Gonxhja “rijetëzon” Rozafën dhe Lëkursin me piceri
Qeveria shqiptare po e kthen trashëgiminë kulturore në biznes të lirë, ku monumentet shekullore nuk janë më pasuri publike, por prona me qira për restorante, kafe e tallava. Në mes të korrikut, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpalli dy thirrje publike për dhënien në përdorim 20-vjeçar të Kalasë së Lëkurësit në Sarandë dhe asaj të Rozafës në Shkodër. Qindra metra katrorë të këtyre monumenteve do t’i jepen privatëve për të hapur ambiente “shërbimi” në gjuhën zyrtare ose më troç, lokale.
Në pamje të parë, kjo quhet “rijetësim”. Në realitet, është një zhbërje e heshtur e simbolikës kulturore të këtyre fortesave që kanë sfiduar shekujt, për t’u kthyer sot në destinacione konsumi dhe përfitimi.
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar ashpër, duke e quajtur këtë vendim “shaka të radhës” të ministrit Blendi Gonxhe dhe një përdhosje të vlerave kombëtare. “Z. Gonxhe harron se ka përgjegjësi ligjore dhe morale për të mbrojtur trashëgiminë, jo për të promovuar menunë e picave,” thuhet në deklaratën e Forumit, që kërkon anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe kthimin e kalave publikut.
Kalaja e Rozafës nuk është thjesht një monument, por një nga gurët themeltarë të identitetit tonë kombëtar – e ndërtuar mbi legjendën e sakrificës, mbi luftën për mbijetesë dhe qëndresë. Kalaja e Lëkurësit, po ashtu, një bastion osman i shekullit XVI, i ngritur mbi rrënojat e një kishe bizantine, sot është kthyer në një qendër zbavitjeje, ku trashëgimia është zbërthyer në menunë e një picerie.
Arkitektja dhe aktivistja Doriana Musai e krahasoi këtë proces me atë që ndodhi me Teatrin Kombëtar dhe Piramidën: “Këto objekte nuk janë thjesht gurë, janë kujtesa. E nëse privatizohet kujtesa, zhvishet identiteti.”
Në një kohë kur shteti shqiptar nuk garanton as transparencë, as akses publik dhe as mirëmbajtje me standarde, koncepti i “rijetësimit” është deformuar për të justifikuar privatizimin e vlerave. Nuk ka më edukim, nuk ka më ekspozim të trashëgimisë – ka konsum, ka përfitim.
Dikur, në vitin 2013, qeveria socialiste kundërshtonte me të drejtë dhënien me qira të kalave si Kalaja e Lezhës. Sot, e njëjta qeveri – me të njëjtin kryeministër – e legalizon dhe promovon këtë zhbërje nën petkun e “inovacionit kulturor”. Edi Rama, që si ministër i Kulturës nisi dhënien e Kalasë së Lëkurësit me qira për restorant, sot sheh se si modeli i tij është kthyer në normë.
Kujtesa historike nuk është ambient për qejf e biznes, dhe monumentet nuk janë prona që shpërndahen për 20 vjet me një firmë ministri. A mund të imagjinohet Akropoli me karaoke? Apo Koloseu me fast-food?
Pyetja që ngrihet sot është e thjeshtë: Kush po merr me qira të drejtën për të treguar historinë tonë? Dhe më e forta: A ka Shqipëria ende një shtet që mbron kulturën, apo kemi mbetur me një qeveri që shet çdo gur për një koncesion më shumë?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



