Ministria nuk tregon numrin e saktë të tamponëve
Ministrja e Shëndetësisë nuk e tregoi as sot numrin e tamponëve që ka Shqipëria për të analizuar dhe kontrolluar popullsinë në lidhje me koronavirusin.
“Kemi ende aktualisht dhe kemi porositur edhe 30 mijë teste të tjera”, tha Manastirliu, duke shpalosur edhe një lajm tjetër, atë të përfshirjes së Shqipërisë në një “studim klinik ndërkombëtar”. Pra, trajtimi i të sëmurëve në Shqipëri do të bëhet me një metodëeksperimentale. “Do jemi pjesë e një skuadre botërore për hetimin klinik, duke përfshirë antiviralët dhe hydroxychloroquine”, tha ministrja. Hydroxychloroquine është një ilaç që përdoret kundër malaries, i cili po përfshihen në kurat anti COVID-19, në disa vende të botës.
Por pavarësisht bastit ndërkombëtar për gjetjen e kurës finale, që do të rendiste Shqipërinë me “aleatët” në fitoren e madhe, ajo që bie në sy, është sasia e stërmadhe e testeve të porositura dhe strategjia e përdorimit të së sa më pak tamponëve që po ndjek qeveria shqiptare. Sipas tabelës së mëposhtëmve (shih tabelen), Shqipëria renditet e fundit ndër vendet e rajonit që e rrethojnë, për sa i përket kontrollit që i bën popullsisë për COVID-19.
Lëmë pas edhe Kosovën dhe, pas stinës së madhe të dashurisë me Serbinë, po ndjekim të njëjtën strategji si Beogradi për testimin e popullsisë. Në këto kushte, kur nuk shpenzojnë para për tamponë gjatë “luftës”, është e habitshme shifra e madhe prej 30 mijë testesh të porositura nga qeveria. Nëse për 30 ditët e fundit, nga data 8 mars kur është zbuluar rasti i parë, kemi kryer rreth 2500 testime, matematikisht 30 mijë tamponët e porositur do të duhen edhe për mbi 350 ditë ose gati një vit. A parashikohet të zgjasë kaq shumë “lufta” shqiptare ndaj virusit?

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



