Ministrja Diella ‘zbarkon’ në gjyqin e ish-ministrit Ilir Beqaj
Vështirësitë në dëgjimin e plotë të CD-ve me audio-regjistrimet e seancave paraprake në burg kanë shtyrë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të kërkojë leje për të pasur një pajisje dëgjimi apo kompjuter në qeli, të njohur ndryshe si “Diella”.
Beqaj pretendon se nuk është njoftuar për akuzën në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me ligjin.
“Me sa duket, më duhet një Diell… s’kam si t’ia bëj ndryshe, ose të kem një kompjuter”, – është shprehur ai me ironi, duke nënvizuar vështirësitë për të ndjekur procesin gjyqësor në mënyrë efektive.
Ish-ministri ka kundërshtuar gjithashtu mënyrën e zhvillimit të seancës paraprake, ku prokuroria ka rikualifikuar akuzën ndaj tij, nga “shpërdorim detyre në bashkëpunim” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal”.
Në seancë, Beqaj ka ngritur shqetësimin se procesverbalet që i janë dorëzuar janë të paplota:
Beqaj: “Procesverbalet që më keni dhënë janë të paplota.”
Gjyqtarja: “Ato janë thjesht shënime të përmbledhura, ju keni në dispozicion CD-të me audio.”
Ish-ministri, i cili ka ndjekur seancat paraprake me dyer të mbyllura, ka deklaruar se ka kërkuar sqarime direkte nga gjyqtarja për shumën që supozohet se ka përvetësuar:
“E pyeta gjyqtaren: më thuaj, sa kam vjedhur? Dhe ajo më dha si argument faktin që unë jam informaticien dhe i vëmendshëm në seancë”, – tha ai.
Dosja ndaj Ilir Beqajt është voluminoze, përmban rreth 600 fashikuj, që përkthehen në mbi 30 mijë faqe dokumentacion, çka e bën përpunimin dhe analizimin e saj të vështirë pa mjete teknologjike të përshtatshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



