E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ministrja e Inteligjencës Artificiale e korruptuar? “Diella” bombardohet me padi
Bota

Ministrja e Inteligjencës Artificiale e korruptuar? “Diella” bombardohet me padi

Mediat zvicerane tallen me “shpikjen” e Ramës: Do të luftonte korrupsionin, por ‘rropatet’ dyerve të gjykatave

Projekti i shumëpromovuar i qeverisë shqiptare për krijimin e një “ministreje” me Inteligjencë Artificiale ka kaluar nga një eksperiment futurist në një çështje të nxehtë ligjore dhe politike. Nisma, e prezantuar si një risi globale, po përballet tashmë me hetime, akuza për korrupsion dhe sfida serioze kushtetuese, duke tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Një nga mediat më të njohura zvicerane, “20 Minuten” i ka kushtuar një analizë të detajuar këtij projekti, duke e cilësuar si një eksperiment unik në botë që po has vështirësi të mëdha në zbatim. Sipas raportimeve, iniciativa për një ministre virtuale ka hyrë në një fazë kritike, ku përveç debateve politike, janë përfshirë edhe organet e drejtësisë.

“Diella”, sistemi i Inteligjencës Artificiale i krijuar nga qeveria shqiptare, u prezantua publikisht në shtator të vitit 2025. Fillimisht, ajo funksiononte si një chatbot në platformën shtetërore të shërbimeve digjitale, përpara se të transformohej në një avatar me rol të zgjeruar institucional.

Gjatë prezantimit, kryeministri e paraqiti këtë risi si një mënyrë për të shmangur problemet tradicionale të administratës publike, duke theksuar se një entitet digjital nuk mund të ndikohet nga nepotizmi apo interesat personale.

Megjithatë, reagimet nuk vonuan. Partia Demokratike e Shqipërisë e çoi çështjen në gjykatë, duke argumentuar se një sistem algoritmik nuk mund të ushtrojë funksione qeveritare dhe as të mbajë përgjegjësi përpara qytetarëve. Sipas opozitës, krijimi i këtij roli bie ndesh me Kushtetutën, e cila parashikon që qeveria duhet të përbëhet nga individë realë.

Debati u thellua më tej me pretendimet se vendimi për krijimin e këtij pozicioni i jep kryeministrit kompetenca shtesë jashtë kuadrit ligjor, duke cenuar balancën e pushteteve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje pritet të jetë përcaktues për fatin e projektit.

Ndërkohë, një tjetër zhvillim ka rënduar situatën. Agjencia që administron sistemin e Inteligjencës Artificiale është përfshirë në hetime për korrupsion. Drejtues të lartë të institucionit janë vënë nën masa sigurie, ndërsa autoritetet po hetojnë dyshime për abuzime financiare dhe përfshirje në veprimtari të paligjshme.

Në këtë klimë tensioni, edhe një aktore e njohur ka hapur një betejë ligjore ndaj shtetit, duke pretenduar se imazhi dhe zëri i saj janë përdorur pa autorizim për krijimin e avatarit virtual. Sipas saj, marrëveshja fillestare kishte të bënte vetëm me një projekt tjetër dhe nuk përfshinte përdorimin në këtë nivel institucional.

Përfaqësuesit ligjorë të aktores theksojnë se kontrata kishte karakter ekskluziv dhe nuk lejonte ripërdorimin e materialeve për projekte të tjera. Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare i kanë mohuar këto akuza, duke deklaruar se çështja do të zgjidhet përfundimisht nga gjykata.

Ndërsa zhvillimet vazhdojnë, rasti i “Diellës” po shihet si një provë e rëndësishme për kufijtë ligjorë dhe etikë të përdorimit të Inteligjencës Artificiale në qeverisje. Nga një projekt që synonte të modernizonte administratën, ai është kthyer në një debat kompleks për transparencën, përgjegjësinë dhe respektimin e ligjit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.