‘Mirë se vini në Bashkimin e Komunave Serbe’/ Veriu zgjohet me parulla
Të katër komunat në veri të Kosovës janë zgjuar mëngjesin e sotëm me mesazhin “Mirë se vini në Bashkimin e Komunave Serbe”.
Këto mesazhe janë shfaqur në shëtitoren kryesore në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe në tabelat në hyrje dhe dalje në katër komuna.
Situata në veri të Mitrovicës u tensionua pasditen e së dielës, një ditë para se në Kosovë të niste organizimi i procesit për regjistrimin e targave ilegale në ato “RKS”, në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve.
Policia e Kosovës bëri të ditur se janë mbyllur pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak, për shkak të bllokimit të rrugëve dhe u bëri thirrje për qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare.
Kjo bëri që qeveria e Kosovës të shtyjë vendimin për pajisjen e qytetarëve serbë me dokumente dhe targa kosovare në territorin e Kosovës për në 1 shtator 2022.
Rrjeti britanik, BBC raporton se qeveria e Kosovës ka vendosur të shtyjë zbatimin e rregullave të reja që do i detyrojnë banorët në zonat me shumicë serbe të ndërrojnë targat e lëshuara në Serbi me targat e lëshuara në Kosovë.
“Rregullat duhet të hynin në zbatim mesnatën e të hënës. Por të dielën, serbët etnikë barrikaduan rrugët në veri dhe persona të armatosur qëlluan në shenjë proteste”, shkruan BBC.
“Zbatimi i rregullave është shtyrë për një muaj pas konsultimeve me SHBA dhe BE,” vijon BBC.
Rreth 50 mijë persona që jetojnë në zonat me shumicë serbe në veri vazhdojnë të përdorin targat e lëshuara nga autoritetet serbe dhe refuzojnë të njohin institucionet kosovare, thekson agjencia.
NATO e përshkroi situatën e mbrëmshme si të tensionuar, teksa qindra serbë etnikë parkuan kamionët, cisternat dhe mjete të tjera në dy pika kufitare me Serbinë në shenjë proteste.
KFOR deklaroi se është gati të ndërhyjë në rast se rrezikohet stabiliteti. Mbrëmë pati raportime për të shtëna, ndërsa autoritetet kosovare thanë se nuk kanë të dhëna për persona të plagosur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



