Mirëmbahet nga “ALKO IMPEX”, çahet asfalti në Gjinar të Elbasanit
Një segment rrugor pranë liqenit të Gjinar, në territorin e Elbasan, ka pësuar dëmtime të dukshme në infrastrukturë si pasojë e një rrëshqitjeje të tokës. Lëvizja e terrenit ka dëmtuar shtresën e asfaltit në këtë pjesë të rrugës, duke krijuar rrezik për qarkullimin e automjeteve dhe për sigurinë e banorëve të zonës.
Segmenti në fjalë është një aks i rëndësishëm lokal, pasi lidh disa fshatra të zonës së Gjinarit dhe përdoret çdo ditë nga mjete private, automjete transporti dhe vizitorë që frekuentojnë zonën turistike. Dëmtimi i rrugës jo vetëm vështirëson lëvizjen, por krijon edhe rrezik real për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët që kalojnë në këtë segment.
Fshati turistik i Gjinarit, i njohur për natyrën dhe klimën malore, vijon të përballet me problematika infrastrukturore në disa nga akset që të çojnë drejt tij. Edhe pse kohët e fundit janë realizuar investime në qendër të fshatit nga Bashkia Elbasan, rrugët lidhëse që shërbejnë për aksesin drejt zonës mbeten ende problematike.
Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për stabilizimin e terrenit dhe rehabilitimin e plotë të segmentit të dëmtuar, në mënyrë që të garantohet siguria në qarkullim dhe të mos dëmtohet zhvillimi turistik i zonës. Kjo kërkesë bëhet edhe më urgjente në prag të sezonit pranveror dhe veror, periudhë gjatë së cilës numri i vizitorëve drejt Gjinarit rritet ndjeshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



