Misteri i mbetjeve të rrezikshme që po helmojnë Shqipërinë
Një raport i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2022 tregonte se në Shqipëri ishin krijuar rreth 18 mijë ton mbetje të rrezikshme, nga të cilat 1,248 ton ishin mbetje spitalore. Një vit më parë, kjo shifër kishte qenë 933 ton. Por, të dhënat e vitit 2023 – të siguruara nga Inside Story përmes një kërkese zyrtare – tregojnë një shpërthim të paprecedentë: mbi 48 mijë ton mbetje të rrezikshme, më shumë se dyfishi i vitit pararendës.
Sipas AKM, pjesën më të madhe të këtyre mbetjeve e zënë ato spitalore, të cilat duhej të trajtoheshin në autoklava apo inceneratorë të posaçëm. Por bilanci real tregon një boshllëk të frikshëm: sasi të mëdha mbetjesh zhduken rrugës dhe nuk dihet ku përfundojnë.
“Nga totali që deklarohet, në terren vjen ndoshta vetëm 1 e 10-ta e mbetjeve. Pjesa tjetër? Askush nuk e di. Shqipëria nuk ka një landfill tjetër për mbetjet spitalore të rrezikshme. Dikush duhet ta shohë këtë realitet”, thotë Selim Bregu, jurist dhe operator privat në trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.
Në fakt, pasojat janë tashmë të dukshme. Sipas ekspertit mjedisor Mihallaq Qirjo nga “Rec Albania”, studimet e fundit kanë zbuluar gjurmë të larta medikamentesh në lumenjtë Ishëm dhe Erzen, përfshirë ibuprofenë, antibiotikë dhe betabllokues, që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e ujit dhe në ekosistem.
SPAK dhe Prokuroria nën lupën e ndotjes
Skandalet me mbetjet e rrezikshme janë tashmë në vëmendjen e SPAK. Vetë subjektet private konfirmojnë se janë kontaktuar nga prokuroria për të dorëzuar databaza të kompanive që trajtojnë mbetje.
“Kam pasur kërkesa nga SPAK dhe Prokuroria e Durrësit për të dorëzuar listën e kompanive që kanë kapacitet për trajtimin e mbetjeve spitalore”, – deklaron Bregu.
Por hetimi has në një tjetër mur: mungesën e gjurmueshmërisë në dogana. Nga verifikimet që Inside Story kërkoi në Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, rezulton se nuk ka pasur as importe dhe as eksporte të mbetjeve spitalore me kodin tarifor përkatës.
Kjo bie ndesh me deklaratat e kompanisë Polyeco Albania, degë e grupit grek “Polyeco SA”, e cila pretendon se të gjitha mbetjet e mbledhura në Shqipëri eksportohen në Greqi për trajtim.
“Aktiviteti ynë konsiston vetëm në grumbullimin dhe dërgimin e mbetjeve jashtë vendit, drejt impianteve të licencuara në BE. Sasia e eksportuar në pesë vitet e fundit nuk i kalon 350 ton”, thuhet në përgjigjen zyrtare të kompanisë.
Në mungesë të gjurmëve doganore, mbetet pyetja thelbësore:
ku kanë përfunduar qindra mijëra tonë mbetje të rrezikshme spitalore që duhet të ishin trajtuar?
Spitalet, të dyshuar për ndotje
Sipas Policisë së Shtetit, në pesë vitet e fundit janë regjistruar pesë procedime penale lidhur me mbetjet spitalore – në Tiranë, Elbasan dhe Berat. Por, në mënyrë paradoksale, vetë spitalet janë cilësuar si të dyshuara.
Burime për Inside Story thonë se disa kompani u kërkojnë subjekteve të tjera të licencuara të nënshkruajnë kontrata fiktive për të justifikuar para autoriteteve procesin e trajtimit të mbetjeve. Në realitet, mbetjet nuk asgjësohen asnjëherë.
Kosto për shtetin, rrezik për qytetarët
Kjo zinxhirë abuzimesh nuk dëmton vetëm buxhetin e shtetit me miliona euro tendera të dyshimtë, por ndot edhe mjedisin, ujin dhe tokën. Në afat të gjatë, ekspertët paralajmërojnë pasoja të rënda për shëndetin publik.
“Nëse kjo situatë vazhdon, kemi të bëjmë me një rrezik të heshtur biologjik që kthehet në shtëpitë tona përmes ushqimit, ujit dhe ajrit”, paralajmëron Qirjo./Insidestory
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


