E enjte, 12 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Mos fol, sqarohemi kur të dalim”/ Vrasja e Urim Fikut, zbardhet përgjimi i nënës me të birin
Lajme

“Mos fol, sqarohemi kur të dalim”/ Vrasja e Urim Fikut, zbardhet përgjimi i nënës me të birin

Një bisedë e regjistruar në ambientet e Policisë së Dibrës ka nxjerrë në pah detaje të reja nga hetimet për vrasjen e 62-vjeçarit Urim Fiku. Në qendër të përgjimit janë bashkëshortja dhe djali i viktimës, Sadete dhe Gazmir Fiku, të cilët ndodhen në burg si të dyshuar për përfshirjen në ngjarjen e rëndë.

Sipas të dhënave nga hetimi, dy të arrestuarit janë përgjuar në dhomën e shoqërimit, ku kanë zhvilluar një bisedë që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve.

Gjatë komunikimit, nëna i është drejtuar të birit duke kërkuar të kuptojë se si kishin përfunduar në atë situatë. “Çfarë ndodhi kështu, si përfunduam kështu?”, mësohet të ketë thënë Sadete Fiku.

Përgjigjja e Gazmir Fikut ka qenë e shkurtër, por ka ngritur pikëpyetje për hetuesit: “Mos fol tani, sqarohemi kur të dalim”.

Sipas informacioneve të dosjes, djali i ka bërë më pas një shenjë të ëmës, duke i lënë të kuptojë se ambienti mund të ishte nën përgjim. Biseda ka vijuar me komunikime të tjera, të cilat, sipas materialit hetimor, nuk kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me vrasjen e kryefamiljarit.

Rezervimi i dy të arrestuarve gjatë këtij komunikimi është një tjetër element që po shqyrtohet nga hetuesit, ndërsa përgjimi është pjesë e veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Dy armë të sekuestruara, priten përgjigjet e ekspertizës balistike

Paralelisht me analizimin e përgjimit, policia dhe prokuroria po presin rezultatet e ekspertizave mjeko-ligjore dhe balistike, të cilat pritet të ndihmojnë në përcaktimin e dinamikës së vrasjes.

Pranë vendit të krimit janë sekuestruar dy armë zjarri, një pistoletë dhe një armë automatike e tipit kallashnikov. Kjo e fundit është gjetur e fshehur në kasollen pranë banesës, ndërsa në folenë e fishekut ndodhej një plumb.

Zbulimi i armës automatike erdhi pas gjetjes së tri gëzhojave në zonën përreth banesës së viktimës. Ky fakt ka shtuar dyshimet se në atentatin ndaj 62-vjeçarit mund të jenë përdorur dy armë të ndryshme.

Gëzhojat janë sekuestruar si prova materiale dhe do t’i nënshtrohen ekspertizës krahasuese me armët e gjetura. Përmes këtij procesi, hetuesit synojnë të përcaktojnë nëse ato janë shkrepur nga pistoleta apo kallashnikovi i sekuestruar.

Dyshimet për ndjekjen e viktimës dhe goditjen fatale me sëpatë

Një nga pistat që po shqyrtohet nga grupi hetimor lidhet me mundësinë që Urim Fiku të jetë ndjekur nga autori përpara se të qëllohej.

Pozicionet ku janë gjetur tri gëzhojat kanë ngritur dyshime se viktima mund të jetë ndjekur në lëvizje, ndërsa autori dyshohet se ka qëlluar disa herë në drejtim të tij. Sipas dinamikës paraprake të hetimit, një plumb e ka prekur Fikun në shpinë, duke bërë që ai të rrëzohej në tokë.

Por dhuna ndaj 62-vjeçarit dyshohet se nuk është ndalur me të shtënat. Hetuesit po verifikojnë mundësinë që autori ta ketë goditur më pas me sëpatë në kokë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kafkë.

Pikërisht për këtë arsye, organet hetimore kanë kërkuar ekspertizë të detajuar mjeko-ligjore, për të përcaktuar shkakun konkret të vdekjes dhe nëse dëmtimi nga arma e zjarrit apo goditja me sëpatë ka qenë fatale.

Hetuesit dyshojnë për një person të tretë në ngjarje

Një tjetër pistë e rëndësishme e hetimit është përfshirja e mundshme e një personi të tretë. Sipas dyshimeve të policisë dhe prokurorisë, në krim mund të ketë marrë pjesë edhe një person që banon në afërsi të vendit të ngjarjes.

Identifikimi i tij është një nga drejtimet ku po përqendrohen aktualisht hetimet, ndërsa nuk përjashtohet që dëshmitë, ekspertizat balistike dhe analizimi i provave të tjera të ndihmojnë në rindërtimin e plotë të krimit.

Për vrasjen e Urim Fikut janë arrestuar bashkëshortja e tij, Sadete Fiku, dhe djali, Gazmir Fiku. Të dy janë lënë në masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit dhe për të zbardhur nëse në ngjarje kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.