E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Moti i keq, rrufeja djeg shtëpinë në Malësinë e Madhe
Lajme

Moti i keq, rrufeja djeg shtëpinë në Malësinë e Madhe

Rrëshqitjet e dheut dhe vërshimet e ujërave si pasojë e motit të keq kanë bllokuar disa zona malore në Dukagjin, duke izoluar përkohësisht banorët.

Situata paraqitet më problematike në aksin Theth–Ndërlysa dhe në segmentin Ndërlysa–Breg Lumi, ku disa fshatra mbeten të shkëputur pasi rrugët janë bërë të pakalueshme. Autoritetet vendore njoftojnë se po pritet ndërhyrja e mjeteve të bashkisë Shkodër dhe ekipeve të Emergjencave Civile, të cilave do t’u bashkohen edhe Forcat e Ushtrisë, me qëllim zhbllokimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit normal për banorët e zonës.

Ndërkohë, rruga kryesore Shkodër–Theth raportohet të jetë e kalueshme dhe pa probleme, ashtu si edhe akset nacionale dhe rrugët kryesore në gjithë qarkun Shkodër.

Përveç izolimit të fshatrave, një tjetër shqetësim mbetet mungesa e energjisë elektrike në shumë zona të bashkisë Vau Dejës dhe në disa fshatra të tjerë malorë, ku moti i keq ka shkaktuar defekte në rrjet.

Situata u rëndua edhe nga një incident i rëndë gjatë natës në fshatin Preknicaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe, ku një banesë dykatëshe e shtetasit Zef Preknicaj u përfshi nga flakët rreth orës 02:00. Shtëpia është djegur plotësisht pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një rrufe, e shkaktuar nga aktiviteti i shtuar elektrik në atmosferë gjatë 24 orëve të fundit.

Grupet e punës të bashkive, Emergjencave Civile, Forcave të Ushtrisë, OSHEE-së dhe strukturave të tjera janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar çdo situatë emergjente që mund të shfaqet. Autoritetet i bëjnë thirrje banorëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, sidomos në zonat malore të qarkut Shkodër, deri në përmirësimin e kushteve të motit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.