E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mungon Kurti, merr pjesë edhe Abazoviç në “Open Balkan”
Lajme

Mungon Kurti, merr pjesë edhe Abazoviç në “Open Balkan”

Edi Rama, Aleksandar Vuçiçi dhe Dimitar Kovaçevskit, 3 liderët e vendeve që janë pjesë e “Open Balkan”, do të jenë bashkë për në samitin e radhës të 7 dhe 8 qershorit në Ohër.

Pas tre vitesh nga krijimi, nismës “Ballkani i Hapur” do t’i bashkohet edhe Mali i Zi. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç konfirmoi pjesëmarrjen, por ai do të jetë ashtu si dhe Presidenti Gjykanoviç në samitin e Tiranës në 2019 thjeshtë në rolin e vëzhguesit, pasi Mali i Zi ende nuk e ka marrë zyrtarisht vendimin për t’iu bashkuar “Ballkanit të Hapur”.

Ai është kritikuar nga një pjesë e publikut në vendin e tij për shkak se nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk arriti të zgjerohej. Samitit do i bashkohet dhe Kryeministri i Bosnjës, Zoran Tegeltija. E vetmja që ka refuzuar ftesën për të qenë pjesë e kësaj tryeze rajonale të Ballkanit Perëndimor është Kosova.

Kryeministri kosovar Albin Kurti i ka kthyer një përgjigje negative ftesës së bërë nga homologu i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski. Të mërkurën e tetë qershorit në Ohër, përveç diskutimeve do të nënshkruhen edhe 4 marrëveshje si pjesë e bashkëpunimit 3 palësh ku më e rëndësishmja dhe e premtuar në takimin e fundit në Tiranë, ishte heqja e barrierave tarifore për disa nga produktet e eksportit dhe importit mes tri vendeve.

“Dispozitat e këtij dokumenti nuk do të rezultojnë në vendime apo veprimtari të veçanta që janë të detyrueshme dhe të imponuara për asnjë palë apo palë të tretë”, thuhet në memorandumin e bashkëpunimit.

Ndër të tjera, gjithsej tetë nene të marrëveshjes theksojnë nevojën për punë të përbashkët për të inkurajuar përmbushjen e detyrimeve tatimore në të tri vendet dhe se secila palë mund të caktojë një person për të koordinuar aktivitetet në emër të saj. Gjithashtu, secila palë i paguan shpenzimet e veta për zbatimin e Memorandumit.

Rama, Vuçiç dhe Kovaçeski do të firmosin edhe tri marrëveshjet e tjera lidhen me njohjen e ndërsjellë të diplomave të studentëve, si dhe bashkëpunim ne sektorët e turizmit dhe atë të kulturës.

Në asnjërën prej katër dokumenteve të planifikuara nuk përmendet zgjerimi, por u drejtohet ftesa shteteve tjera të interesuara të bashkëpunojnë në të ardhmen. Samitit do t’i bashkohet virtualisht dhe komisioneri për zgjerimin i BE-së, Oliver Varheily, i cili e ka shprehur hapur mbështetjen për këtë nisme rajonale, por kërkon që ajo të zgjerohet dhe me 3 shtetet e tjera.

Tre nismëtarët, Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, Aleksandar Vuçiç, Presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Takimi i katër liderëve i paraprin vizitës zyrtare të kancelarit gjerman Olaf Sholz në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, e konkretisht në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në vizitën që Kryeministri Edi Rama kreu në Gjermani, Olaf Sholz e bëri të qartë se për Gjermaninë ekziston vetëm Procesi i Berlinit, për të cilin deklaroi se do ta rijetësojë. Po aq edhe qëndrimi i BEsë dhe SHBA-së mbetet i pandryshuar, një nismë ku të jenë të përfshirë të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

MARRËVESHJET QË DO NËNSHKRUHEN NESËR NË OHËR

KUNDËR EVAZIONIT FISKAL

Në tekstin e Memorandumit që ka të bëj me taksat, thuhet se nënshkruesit kanë parasysh “rëndësinë e shtuar” të bashkëpunimit në luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht, shmangies së pagesës së tatimit.

NJOHJA RECIPROKE E DIPLOMAVE

Në tekstin e Marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe MV-së. Marrëveshja me shtatë nene i referohet kualifikimeve të nivelit e pestë (arsimi i lartë), si dhe niveleve gjashtë deri në tetë të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve. SHKËMBIMI KULTUROR Për të promovuar shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, të tri palët synojnë të nënshkruajnë një Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin kulturor në BP. Në shtatë nenet e Memorandumit, nënshkruesit angazhohen për të inkurajuar lëvizshmërinë e punonjësve të kulturës dhe thellimin e bashkëpunimit institucional.

HARTA KULTURORE

Në Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit në BP, parasheh formimin e një harte turistike të quajtur “Ballkani i Hapur”. Shtetet nënshkruese janë të detyruara të inkurajojnë kontaktet ndërmjet organizatave të tyre turistike dhe punëtorëve, si dhe parashikohet krijimi i grupeve të posaçme të punës për këtë fushë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.