Nami në rrjet! Era e fortë rrëzon kopjen e Statujës së Lirisë
Një stuhi e fuqishme që goditi Brazilin jugor më 15 dhjetor shkaktoi shembjen e një kopjeje të Statujës së Lirisë në qytetin Guaíba, Rio Grande do Sul.
Struktura, e vendosur në vitin 2020 dhe e pajisur me certifikim inxhinierik, u përkul gradualisht përpara se të rrëzohej në një parking të zbrazët, në një moment kur erërat e forta arritën shpejtësi mbi 90 km/orë.
Megjithëse statuja u shemb, baza e saj 11 metra e lartë mbeti e paprekur. Ndërhyrja e shpejtë e kalimtarëve, të cilët larguan automjetet nga zona, bëri të mundur që të mos ketë dëme materiale apo persona të lënduar.
Kryetari i bashkisë së Guaíbas, Marcelo Maranata, konfirmoi ngjarjen përmes rrjeteve sociale, duke bërë të ditur se shpejtësia e erërave luhatej mes 80 dhe 90 km/orë. Ai theksoi se falë izolimit të menjëhershëm të zonës, askush nuk u lëndua.
Edhe kompania Havan, në pronësi të së cilës ishte struktura, njoftoi se zona u rrethua menjëherë në përputhje me të gjitha protokollet e sigurisë. Sipas deklaratës së saj, procesi i heqjes së mbeturinave nisi disa orë më vonë, pa shkaktuar ndërprerje apo probleme shtesë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



