Nartë, bllokohen 11 varka peshkimi, 30 të tjera janë të paligjshme
Peshkonin në mënyrë të paligjshme, bllokohen 11 varka. Inspektorati i Peshkimit në bashkëpunim me Organizatën për Mbrojtjen e Peshkatarëve kanë sekuestruar varka peshkimi gjatë një aksioni në Nartë, në një aksion të mbështetur edhe nga Policia. Aksioni ka nisur prej disa ditësh dhe ka për qëllim eliminimin e peshkimit ilegal, që, përveç konkurrencës së pandershme, përbën problem dhe për zonat e mbrojtura siç është dhe Laguna e Nartës.

Bëhet fjalë për të paktën 11 varka peshkimi, pasi pronarët e tyre nuk dispononin asnjë lloj dokumenti për ushtrimin e aktivitetit të peshkimit. Inspektorati i Peshkimit konfirmon se aksioni do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, ndërsa bëhet e ditur se shumë peshkatarë të tjerë nuk janë të regjistruar dhe veprojnë kryesisht natën në lagunë. Organizata për Mbrojtjen e Peshkatarëve e ka denoncuar problemin prej disa kohësh, ndërsa bëjnë me dije se situata është mjaft e vështirë, pasi në këtë mënyrë me ndërhyrje të paligjshme po dëmtohet edhe Laguna e Nartës, e cila është një zonë e mbrojtur. Endrit Hoxhaj, kreu i Inspektoratit të Peshkimit në Vlorë, konfirmon se janë të evidentuara të gjitha varkat e peshkimit, të cilat janë të paligjshme dhe ndaj tyre do të zbatohen të gjitha sanksionet që parashikon ligji.
“Janë evidentuar të gjitha varkat e peshkimit, të cilat nuk janë të licencuara, si dhe peshkatarët e paligjshëm. Së bashku me OMP, ne jemi duke vepruar maksimalisht gjatë këtyre ditëve, me qëllimin për të bllokuar të gjitha varkat e paligjshme që operojnë në Lagunën e Nartës. Janë bllokuar fillimisht 11 varkat e para, por ky aksion nga Inspektorati i Peshkimit do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, pasi këta të fundit, peshkatarët e paligjshëm, veprojnë kryesisht natën. Ndaj edhe kemi kërkuar që në aksion të kemi edhe ndihmën e Policisë së Vlorës”, deklaroi Hoxhaj.

Ndërkohë peshkatarë, të cilët janë të licencuar, konfirmojnë se situata është përkeqësuar. Veç faktit që peshkatarët të tillë veprojnë jashtë ligjit, sipas tyre, janë duke dëmtuar edhe Lagunën e Nartës. Mësohet se numërohen mbi 30 varka të jashtëligjshme. “Janë mbi 30 varka të jashtëligjshme, të cilat janë të evidentuara nga ana jonë, pasi i kemi parë dhe për këtë qëllim kemi kërkuar ndihmën e Inspektoratit të Peshkimit dhe Policisë. Ata i fshehin varkat gjatë natës në zona të thella apo mes pemëve, megjithatë në bashkëpunim me OMP, kemi arritur t’i evidentojmë.
Janë duke na shkatërruar si nga ana ekonomike, si edhe duke dëmtuar Lagunën, pasi jo kushdo mund të peshkojë dhe të hyjë në Lagunë. Ndaj edhe ne peshkatarët e licencuar, që i paguajmë shtetit, e përkrahim këtë aksion deri në goditjen e fundit”, konfirmojnë peshkatarët. Gjatë aksionit ka pasur edhe një përplasje mes Policisë dhe pronarëve të varkave të bllokuara, ndërsa mësohet se aksioni do të shtrihet deri në afërsi të lumit Vjosa. Pronarë, të cilët kanë në dispozicion mjetet e peshkimit të bllokuara, kanë kundërshtuar aksionin e Policisë dhe Inspektoratit të Peshkimit. Këta të fundit kanë deklaruar se po veprohet në mënyrë të padrejtë ndaj tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



