Ndahet nga jeta Skënder Haluci, ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës
Është ndarë nga jeta Skënder Haluci, jurist, avokat dhe ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës, një emër i njohur i sistemit të drejtësisë dhe jetës publike shqiptare.
Gjatë karrierës së tij, Haluci ka mbajtur disa funksione të rëndësishme, mes tyre atë të kryetarit të Gjykatës së Vlorës dhe të komisionerit pranë Avokatit të Popullit.
Skënder Haluci ishte gjithashtu ish-i burgosur politik, ndërsa përgjatë viteve ushtroi profesionin e juristit dhe avokatit.
Lajmipër ndarjen e tij nga jeta është bërë publik nga familja, Publik.al i shpreh ngushëllimet familjes, të afërmve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi shkruan:
I pabesueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të Skënder Halucit, njeriut që regjimi komunist e kishte dënuar me vdekje!
Na bashkoi Fakulteti i Drejtësisë, 35 vjet më parë. Na afruan padyshim pikëpamjet tona politike, historitë familjare, por mbi të gjitha na lidhi një shoqëri e gjatë.
Kur, në fakultet, më tregoi për herë të parë se regjimi komunist e kishte dënuar me vdekje, nën akuzën për një atentat ndaj Ramiz Alisë, pothuajse nuk e besova. Ishte një histori që dukej e pabesueshme për ne që sapo po njiheshim. Prej asaj kohe u bëmë shokë dhe mbetëm të tillë për më shumë se tri dekada.
Sot më rëndon mendimi se sa herë e shtymë atë drekën tonë. I shtyjmë takimet me miqtë dhe shokët, me bindjen se kemi kohë: jo sot, nesër; jo këtë javë, javën tjetër, jo në gusht por në shtator! Derisa vjen një ditë si kjo dhe kupton se koha nuk na është premtuar, nuk e kemi në dorë. Se disa takime, po i shtymë gjatë, mbeten përgjithmonë pa u bërë.
Lamtumirë, miku im Skënder.
U prehsh në paqe! 🖤
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



