Ndërron jetë mbreti i Norvegjisë Harald V
gazetari shqiptar në Norvegji: Me të largohet një pjesë e vendit që njoha
Mbreti i Norvegjisë, Harald V, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Sipas njoftimit të Shtëpisë Mbretërore, ai u nda nga jeta në paqe këtë të premte, më 28 gusht, në orën 06:35, në spitalin universitar Rikshospitalet të Oslos.
Harald V ishte në fron që prej vitit 1991. Gjatë mbretërimit të tij u bë një figurë e rëndësishme bashkimi për norvegjezët, veçanërisht në momentet e krizave kombëtare. Reuters
Ndarja e tij nga jeta ka nxitur një reflektim personal edhe te gazetari shqiptar Telnis Skuqi, i cili ka emigruar në Norvegji. Në shënimin e tij, Skuqi e lidh humbjen e monarkut me rrugëtimin e vet dhe me mënyrën se si ka përjetuar marrëdhënien mes pushtetit, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Për gazetarin, Harald V përfaqësonte një prani që nuk kishte nevojë të impononte autoritetin për të fituar respektin e qytetarëve.
Shënimi i plotë i Telnis Skuqit
Kur dëgjova sot lajmin për vdekjen e Mbretit Harald V, mendimet e mia shkuan përtej vetë lajmit.
Për një çast, mendova për jetën time dhe për rrugën e çuditshme që më ka sjellë deri këtu.
Unë, si ballkanas, kam pasur fatin e çuditshëm të përjetoj katër sisteme: diktaturën, demokracinë, autoritarizmin dhe monarkinë.
Katër botë të ndryshme, që kanë kaluar mbi jetën time si katër stinë, pa pyetur nëse isha gati për të ndryshuar.
Kam parë se si pushteti mund ta trembë njeriun, si mund ta mashtrojë dhe si mund ta bindë se liria është më afër seç është në të vërtetë. Kam parë edhe demokracinë, me të gjitha bukuritë dhe dobësitë e saj.
Por monarkia norvegjeze më ka befasuar.
Ndoshta sepse këtu mbreti nuk të jep ndjesinë e një njeriu që sundon mbi ty. Ai është aty, mbi të gjitha, si një prani. Një figurë që nuk ka nevojë të ngrejë zërin për t’u dëgjuar dhe nuk ka nevojë të sundojë për të qenë pjesë e jetës së një kombi.
Harald V ishte aty për aq gjatë, sa dukej sikur kishte qenë gjithmonë. Dhe ndoshta ky ishte iluzioni më i bukur: besimi se disa njerëz dhe disa gjëra do të mbeten aty edhe kur gjithçka tjetër ndryshon.
Sot, ai nuk jeton më.
Mbreti Harald V ndërroi jetë në paqe në Rikshospitalet, në orën 6:35 të mëngjesit, njoftoi Shtëpia Mbretërore. Ai ishte 89 vjeç.
Me largimin e tij, për mua, nuk duket sikur ka vdekur vetëm një mbret. Është sikur koha ka marrë me vete një pjesë të Norvegjisë që unë njoha kur erdha këtu.
Në këtë vend të bekuar, dinjiteti nuk ka nevojë të dëshmohet. Dhe një mbret mund të jetë pranë njerëzve, pikërisht sepse nuk ka nevojë të jetë mbi ta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



