Ndërron jetë kalorësi i Letërsisë Shqiptare, Ismail Kadare
Shkrimtari i madh Ismail Kadare, ka mbyllur sytë sot në moshën 88-vjeçare. Mësohet se Kadare ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Urgjencë.
Autori më i madh i yni dhe prozatori kolos i letrave shqipe e filloi karrierën së pari si poet e më pas si dramaturg e autor.
Me studime në Moskë dhe miqësitë e gjata, ai ishte nga shkrimtarët më të veçantë duke qenë në të njëjtën kohë dhe disident.
Nga veprat e tij më të njohura mund të veçojmë “ Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” dhe poezinë tashmë aq të famshme “Mall”.
Veprat e tij të famshme si “Pallati i ëndrrave” i shpëtuan nën hundë çensurës komuniste duke edhe e kritikuar atë shpesh.
Kadare ka qenë shpeshherë çështje debati në opinionin publik sepse shumë zëra shpreheshin se ai dhe i ka bërë temena diktaturës. Kjo është e pavërtetë. Ai futi një zë të ri në letërsinë shqipe, mjaft të kujtojmë “Uragani i ndërprerë”, monografinë e tij për Migjenin. Madje dhe letërkëmbimet e tij dhe librat me intervista (Ftesë në studio) apo “Nga një dhjetor në tjetrin” kanë vlerë të madhe arkivore.
Ai ishte një person që vulgut i ndenji larg dhe nuk i bëri duart pis me të. Komunizmi as nuk e njëtrajtësoi si njeri dhe nuk e bëri konformist.
Qyteti për të cilin ai kishte dobësi, Parisi, ose “qyteti i dritës” siç e quan ai te libri për piktorin Omer Kaleshi (Arti si mëkat) përvijoi gjithë jetën dhe veprën e tij (Hija).
I krahasuar shpeshherë me Fishtën dhe Konicën megjithatë ai është një zë shumë i veçantë dhe i papërsëritshëm.
Humbja e tij është dhimbje e madhe për të gjithë shqiptarët. Ai lë pas dy vajzat, Besianën dhe Gresën dhe të shoqen Helena Kadare.
Kush është Ismail Kadare?
Kadare (lindur në Gjirokastër, më 1936) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Aëards” për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker International Prize” ku kishte qenë i nominuar bashkë me shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, duke përfshirë nobelistë si Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj. Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: “Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri”. Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet – çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea. “Dhënia e çmimit Lerici Pea 2010 autorit Kadare – shkruhet në motivimin e çmimit – nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohohen liritë themelore”.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
Me studimin e veprës së Kadaresë janë marrë autorë të shteteve të ndryshme, të cilët kanë botuar vepra dhe studime për të në gjuhët e tyre amtare: Eric Faye dhe Jean-Paul Champseix (frëngjisht), Piet de Moor (hollandisht), Peter Morgan (anglisht), Jose Carlos Rodrigo Breto (spanjisht). Ky i fundit e ka vlerësuar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe shkrimtarin më të rëndësishëm të shekullit XXI.
Shkrimtari i madh, Ismail Kadare i nominuar për çmimin Nobel, i nderuar së fundmi, në Francë me titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” dhe fitues i shumë çmimeve të tjera prestigjioze, Kadare mbetet përfaqësues i denjë i letërsisë shqipe nëpër botë.
Më poshtë kemi përzgjedhur disa nga poezitë e tij ndër vite të cilat s’duhen lënë pa lexuar:
1.Pa ty
Ti ike udhes së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i henës.
Lejleket iken.
Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ku ca mullare të gjysmuar
Duken që larg si Don Kishotë.
Ç’të bëj, po them me vehten time,
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem permbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di që do të më ngelet
I ftohti medalioni i hënës.
#2. Kur ti telefonoje
Telefonin nga gjumi i rendë e i zi ti e zgjove
Me zërin e dashur, që dridhej ngrohtësisht
Ishte dimer.
Une isha i fundosur
Në kolltukun e palëvizshem pranë vetmisë.
U afrova tek xhamat
Jashtë binte shi
Vështrova me mirënjohje telat e gjatë telefonikë
Ata vinin nga larg, pa u ndalur gjëkund drejt e nga ti,
Nga aroma e flokëve tu, nga vija besnike e buzeve,
Pa u ndalur e pa u pleksur me ylberët joshës rruges.
Ti qaje?
Jo. Pika shiu të ngrohtë nga telat binin.
3. Një vajzë
Duke të puthur pa të dashur
në shpirt ai ty të plagoi,
buz’përgjakur nga t’kuqt e tu
si vrases tinëz shkoi.
Krenar që ty “të shtiu në dorë”
gjith’ shokve emrin tënd ju tha.
Pran’ gotës birrës për ty folën
në park të dielave ata..
Dhe ti e vetme mbete
bosh mbenë sytë e tu në net bilbilash
si sheshi i shkretë ku porsa ndodhi
një katastrofë automobilash…
Tani, kur shkon rrugës së Dibrës
ata me sy të ndjekin pas.
Dikush me brryl i bie shokut,
-e sheh filanen? e ka pas…
Dhe ti ul koken, shpejton hapin
t’arrish tek shoqja sa me shpejt
të përsërisësh fjalët standart
Ah njëlloj jane te gjithe djemt’.
Te dyja t’ulura pranë radios
do ndizni heshtur një cigar’,
tek supi i saj nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të marr
dhe do të cojë në një rrug’ tjetër
më gjerë, më bukur, dhe me re.
Atje ne sfond fabrikash njerzit
nga këmbet s’do t’u vënë re.
Atje tek ecesh në mes turmash,
në një grup djemsh, ndoshta midis,
dikush me brryl do t’i bjer shokut,
-e sheh filanen? ishim miq…
4. Në parkun që mbuluan fletët
Në parkun q’ë mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.
Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park q’ë kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.
Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.
Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.
Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti…
5.Edhe kur kujtesa!
Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Une ty s’do të harroj.
Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.
Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë…
6. Ti qave
Ti qave dhe më the me zë të ulët
Se unë të trajtoja si prostitutë.
Atëhere lotëve të tu s’ua vura veshin,
Te desha, pa e ditur se të desha.
Një mëngjes të beftë kur u gdhiva
Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk,
Ahere e kuptova ç’kisha humbur,
Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.
Më rrëzëllinte si smerald mërzija,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re.
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja
secila m’e bukur se tjetra qe.
Se ish i tillë ky koleksion bizhush
Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht,
Që njëqindfish etjen për jetën shtonte,
Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish.
7. Të huaj jemi
Të huaj jemi ne prej kohësh,
Ç’ish për t’u thënë është thënë,
Si gurët që zënë vend në tokë,
Në jetë vend ne kemi zënë.
Drejt njeri-tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet,
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.
Por natën, kur i lodhuri truri,
Portat i mbyll me qetesi,
Ti gjen një shteg dhe futesh brenda,
Një shteg që vetëm ti e di.
Pastaj si në rrugica parqesh,
Shetit mes cirkovolucionesh,
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.
Por kur mëngjesi zë afrohet,
Nis shqetësohesh befas ti,
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu, që del veç ti
E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetare.
8. Kristal
Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
Si të harroj un’dalngadal,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.
Tani kërkoj unë posht’e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë a notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.
Në s’të pranoftë asnjë varr,
Asnjë mermer a morg-kristal,
Mos duhet vall’ prap’ të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë ?
Në s’gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.
9. Vjeshtë tiranase
Pa formë është qielli, si tru idioti
mërzitshem trotuaret shiu i qull
një kalimtar, një ombrellë, gjëmon moti
një biçikletë kthesën merr me vrull.
Pa forme është qielli, si një mendim idioti…
10. Kohë e pamjaftueshme
S’kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja ti nxjerr përjetë.
Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
Do t’më duhen së paku dy vjet.
Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.
Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t’afrohem tek varri humbak.
Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këte peshë, si?
Me të s’mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s’e lë kurrsesi.
I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



