Në hetim kontrata mes Shëndetësisë dhe ‘Farma Net Albania’
Prokuroria e Tiranës është duke kryer hetimet për një prej rasteve më skandaloze të ‘kontratave sekrete’ për Covid-19, atë për blerje maskash dhe dorezash kirurgjikale me vlerë rreth 3.5 milionë euro, të nënshkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë ‘Farma Net Albania’, menjëherë pas shpalljes së pandemisë globale nga virusi Sars-Cov-2.
Hetimi nisi fillimisht nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, pas raportimeve mediatike mbi dyshime për çmimin e lartë dhe favorizim të kompanisë së drejtuar nga Sokol Topçiu.



Pas disa muajsh hetime, SPAK nuk konstatoi përfshirje në këtë çështje të zyrtarëve të lartë, të cilët janë nën kompetencën hetimore të tij dhe rastin ia përcolli Prokurorisë së kryeqytetit, e cila po vijon kryerjen e veprimeve hetimore.
Gjithçka nisi pasi në Fletoren Zyrtare u publikua Vendimi i Këshillit të Ministrave datë 21 mars 2020, i cili lejonte nënshkrimin e kontratës ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, së drejtuar nga Ogerta Manastirliu dhe operatorëve ‘Farma Net Albania’ dhe ‘Euromed’, me objekt ‘Blerje materiale për mbrojtjen personale për Covid-19’, me fond limit 3.5 miliard lekë të vjetra.
Të gjithë hapat për këtë tender u realizuan në mungesë të plotë transparence, ndërkohë që procedura e ndjekur ishte ajo e ‘negocimit, pa shpallje paraprake’, e justifikuar me emergjencën anti-Covid.
Kjo lloj procedure e veçantë njihet nga ligji për prokurimet publike, i cili gjithashtu detyron institucionet që të bëjnë transparencë.
Por, Ministria e Shëndetësisë, e mbështetur edhe nga kryeministri Edi Rama, vendosën të qëndrojnë hermetikë për termat e kontratës dhe, sidomos për çmimin e ofruar nga kompanitë private.
Megjithatë, të dhënat e kësaj kontrate, përfshirë edhe ofertat e paraqitura nga kompanitë private, u publikuan në media.
Në bazë të dokumentave të prezantuara mediatikisht, rezultoi se kompania ‘Farma Net Albania’ kishte paraqitur ofertën më të lartë gjatë fazës së testimit të tregut, një procedurë paraprake e ndjekur nga Ministria e Shëndetësisë.
Në 14 Mars 2020, pak ditë pasi Shqipëria ishte përfshirë në ‘izolimin kombëtar’ për shkak të korona-virusit, Ministria e Shëndetësisë zhvilloi një testim urgjent tregu, për të identifikuar çmimet e maskave, dorezave dhe veshjeve mbrojtëse, të cilat do të përdoreshin nga mjekët e angazhuar për kurimin e pacientëve të prekur nga COVID-19.
Qëllimi i testimit të tregut ishte nxjerrja e një çmimi mesatar, i cili më pas do të shërbente si fond limit për hartimin e një tenderi urgjent për blerjen e këtyre produkteve.
Ftesa për ofertë iu dërgua 5 prej operatorëve të tregut farmaceutik që veprojnë në Shqipëri.
Vetëm 3 kompani paraqitën ofertat e tyre; ‘Euromed’, ‘Farma Net Albania’ dhe ‘Biometric Albania’.
Në bazë të të dhënave zyrtare, kompania ‘Farma Net Albania’ paraqiti ofertat me çmim më të lartë për të gjithë serinë e produkteve të renditura nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që dy kompanitë e tjera paraqitën oferta më të ulta.
Ministria e Shëndetësisë përcaktoi fondin limit për tenderin, në vlerën e mesatares së tre ofertave të paraqitura-307.864.333 lekë të reja pa TVSH (rreth 3.5 milionë euro).
Natyrisht, mesatarja e çmimeve të tregut, u rrit ndjeshëm nga çmimet e larta që kishte ofruar ‘Farma Net Albania’.
Pasi u përcaktua fondi limit, Ministria e Shëndetësisë njoftoi zyrtarisht në datën 17 Mars 2020 për hapjen e tenderit për blerjen e materialeve mbrojtëse për COVID-19, një procedurë që u mbyll pas vetëm 24 orësh.
Në datë 21 Mars 2020, tre ditë pasi ishte mbyllur tenderi, në Fletoren Zyrtare u publikua Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 241, ‘Për miratimin e kontratës me objekt blerje materiale për mbrojtjen personale, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe e bashkimin e operatorëve, ‘Farma Net Albania’, sh.p.k. dhe shoqëria ‘Euromed’, sh.p.k.,Tenderi emergjent 3.5 mln euro /me vlerë 346 105 800 lekë me TVSH’.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



