Në protestë para kryeministrisë për Klodiana Lalën

Reagim të fortë ka pasur ndaj sulmit me armë në banesën e gazetares Klodiana Lala ditën e sotme.
“Plumba mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala, janë plumba mbi ne. Ndaj mos pyet se për kë bien këta plumba?! Ato bien për ty”, shkruhej në një pankartë e mbajtur nga një prej protestuesve.

Ngjarja ndodhi orët e para të mëngjesit të sotëm. Në drejtim të banesës së prindërve të gazetares në Tiranë u qëllua me armë zjarri ndaj rreth orës 3. Fatmirësisht nuk pati të lënduar. Autorët e krimit janë ende të paidentifikuar nga policia, që njoftoi se po punon për zbardhjen e ngjarjes. Sulmi me armë solli reagime të shumta, që nga kolegët e gazetares e deri figurat e institucionet kryesore të politikbërjes në vend. Vetë Klodiana Lala, në një reagim, tha se dyshon se sulmi ka ardhur për shkak të punës së saj si gazetare.





Partitë politike në vend, Presidenti, ambasada amerikane, delegacioni i BE në vendin tonë reaguan më herë, ndërsa në mbrëmje është zhvilluar edhe një marshim në kryeqytet nga shoqëria civile në mbështetje të gazetares.
Aktivistëve të shoqërisë civile u bashkuan edhe kolegë gazetarë, por edhe qytetarë në marshimin e zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në mbështetje të gazetares Klodiana Lala, protestuesit kanë mbajtur pankarta në duar ku shkruhej “Jemi me ty, Klodiana”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



