“Neomalësorja” e braktisi, zbardhet “lëvizja” urgjente e Ramës
Një zhvillim i papritur ka ardhur nga radhët e Partisë Socialiste, ku deputetja e Qarkut të Shkodrës, Marjana Koçeku, ka vendosur të shkëputet nga grupi parlamentar i kësaj force politike.
Përmes një reagimi publik, Koçeku njoftoi se do ta vijojë mandatin e saj si deputete e pavarur, duke theksuar se vendimi lidhet drejtpërdrejt me parimet dhe bindjet personale që e kanë shoqëruar në gjithë angazhimin e saj publik.
Ky vendim vjen në një moment të rëndësishëm për socialistët, teksa nesër do të mbahet mbledhje e Kryesisë së Partisë Socialiste, e cila pritet të zhvillohet në orën 09:30, e ndjekur nga mbledhja e grupit parlamentar në orën 10:00.
Sipas raportimeve mediatike, deputetja nuk ka qenë e pranishme as në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, i zhvilluar në sheshin “Italia” në Tiranë, çka ka shtuar më tej dyshimet për një distancim të hershëm nga strukturat e partisë.
Në deklaratën e saj, Koçeku u shpreh:
“Prej sot jam deputete e pavarur. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me një parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”.
Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga Partia Socialiste në lidhje me këtë zhvillim, ndërsa pritet që qëndrimi i saj të qartësohet në mbledhjet e paralajmëruara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



