Nga argjentinas në Kuq e Zi, prurja më e re e Kombëtares Shqiptare
Në vitet e fundit, Kombëtarja shqiptare ka afruar disa futbollistë me origjinë shqiptare nga vende të ndryshme, duke zgjeruar alternativat në përbërjen e saj. Mes rasteve më interesante që janë përfolur, spikat ai i mbrojtësit argjentinas Tomas Guidara.
Futbollisti ka prejardhje arbëreshe dhe për herë të parë emri i tij u lidh me kuqezinjtë gjatë periudhës kur në krye të Kombëtares ishte Kristian Panuçi. Në atë kohë pati interes dhe kontakte paraprake për të mësuar më shumë rreth situatës së lojtarit.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Guidara ka folur hapur për këtë temë, duke pranuar se ideja për të përfaqësuar Shqipërinë e ka entuziazmuar dhe se do ta konsideronte me shumë kënaqësi një ftesë të tillë.
“Kur mora vesh që një kombëtare tregonte interes për mua, u ndjeva vërtet shumë mirë. Është gjithmonë motivuese kur kupton se puna dhe përkushtimi yt vlerësohen në një nivel të tillë. Të bën të ndihesh pjesë e diçkaje të rëndësishme”, u shpreh mbrojtësi argjentinas.
I pyetur për origjinën e tij arbëreshe dhe lidhjen me identitetin shqiptar, Guidara pranon se njohuritë e tij janë ende të kufizuara. “Sinqerisht, di shumë pak për rrënjët e mia shqiptare. Është diçka që më ka ngjallur gjithmonë kureshtje dhe do të doja ta njihja më mirë në të ardhmen. Aktualisht nuk kam kontakte të drejtpërdrejta me komunitetin arbëresh apo me Shqipërinë”, tha ai.
Sa i përket komunikimit me Federatën Shqiptare të Futbollit, Guidara konfirmon se ka pasur kontakte konkrete. “FSHF ka komunikuar si me mua, ashtu edhe me përfaqësuesin tim. Ishte një ndjesi shumë pozitive dhe një sinjal i qartë se puna ime po vlerësohet edhe jashtë Argjentinës”, theksoi futbollisti.
Deklaratat e Guidarës tregojnë se dera për Kombëtaren shqiptare mbetet e hapur, ndërsa gjithçka mbetet për t’u parë nëse në të ardhmen do të ketë një hap konkret drejt veshjes së fanellës kuqezi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



