E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nikolla po zvarrit prej një viti vendimin për mandatin e Xhaçkës
Lajme

Nikolla po zvarrit prej një viti vendimin për mandatin e Xhaçkës

Pas rikthimit të normalitetit në punimet e Kuvendit, opozita kërkon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dërgimin në këtë gjykatë të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, e harruar në sirtarët e Kuvendit prej më shumë se një viti.

BIRN

Ish-ministrja Olta Xhaçka u akuzua nga opozita se ka shkelur Kushtetutën, e cila ndalon qartësisht që një deputet të përfitojë nga të mirat publike, pasi bashkëshorti i saj, biznesmeni Artan Gaçi, fitoi statusin ‘investitor strategjit’ dhe iu dha e drejta e përdorimit të bregdetit për 30 vite me vendim qeverie.

Por, mazhoranca pasi refuzoi fillimisht me votë të çonte mandatin e deputetes socialiste në Kushtetuese, po zvarrit prej më shumë se një viti zbatimin e vendimit të kësaj gjykate.

Sipas kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kjo është një “mbrojtje politike” që po i ofrohet deputetes së partisë në pushtet nga Kuvendi.

Në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla ai kërkon zbatimin e këtij vendimi dhe thirrjen e Konferencës së Kryetarëve për të futur në rend dite të seancës më të afërt urdhërin për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mocionit për interpretimin e mandatit.

“Çdo vonesë e mëtejshme e kësaj çështje do të ishte dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet…,” shkruan Bardhi në këtë letër të bërë publike të hënën.

Sipas tij, Kuvendi duke mos zbatuar këtë vendim po shkel të drejtën e pakicës parlamentare, parimet bazë të shtetit ligjor dhe besimin publik tek Gjykata Kushtetuese.

“Ky rast merr përmasat e një mbrojtjeje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK, nga ku ka rezultuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara…”- vijon më tej në letrën e tij Bardhi,  duke iu referuar arrestimit të kryetarit në detyrë të bashkisë Himarë, Jorgo Goro, i akuzuar si i përfshirë edhe në tjetërsimin e pronës ku po ndërton bashkëshorti i Xhaçkës.

Në janar të vitit 2023 Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj duke kërkuar që të vendosë për të kundërtën.

Por, zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej më shumë se një viti me justifikime të ndryshme, ndërkohë që mazhoranca shfrytëzoi krizën e re në Kuvend për shkak të protestave të opozitës, si justifikim për shtyrjen e çështjes pa afat.

Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi në korrik një raport, ku i sugjeronte Kryetares së Kuvendit, rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

Nikolla, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshme parlamentare, përdori justifikime të ndryshme për mosveprimin.  Pasi u justifikua në vjeshtë me axhendën e ngjeshur, në dhjetor kabineti i saj i tha BIRN-it se kjo çështje do të shqyrtohej me kthimin e normalitetit të punës në Kuvend.

Pas një marrëveshje të arritur mes PS-së dhe grupimit politik që përfaqëson Bardhi këtë muaj, opozita i është rikthyer jetës parlamentare të rregullt.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.