Arbër Abazi siç dihet është nipi i ish-deputetit socialist Sadri Abazi. Së bashku me kompanitë e tij, Abazi është shndërruar në një “peshkaqen” të vërtetë tenderash kryesisht në fushën e pastrimit dhe largimit të mbeturinave.
Thuajse në një pjesë të madhe të qyteve kryesore të vendit ai ka marrë prej vitesh tenderat e pastrimit. Nuk mund t’i shpëtonte “kthetrave” të tij as qyteti bregdetar i Sarandës. Pavarësisht se mënyra se si është zhvilluar tenderi ka shumë pikëpyetje e dyshime në lidhje me rregullsinë e tij, fitues është shpallur po ai, nipi i Sadriut.

Në rastin konkret bëhet fjalë për procedurën që mban numrin e referencës REF-63519-03-24-2023 dhe ka si objekt “Pastrimi dhe largimi i mbetjeve urbane”. Ky tender ka si fond limit shifrën prej 131,855,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.6 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Nëse shohim dokumentat e këtij tenderi shikohet se në garë kanë marrë pjesë 6 firma. Por e habitshmja është se njëra prej tyre ka marrë pjesë në tender por ka ofruar zero lekë. Ky përbën një dyshim të fortë se fituesi dihej prej kohësh para se të fillonte tenderi dhe se pjesëmarrësit kanë marrë pjesë vetëm sa për numër.

Përveç kësaj edhe një firmë tjetër pjesëmarrëse ka ofruar vlerë më të ulët por përsëri nuk është marrë parasysh. Si përfundim fituese e tenderit është shpallur kompania ALKO IMPEX CONSTRUCTION në pronësi të Arbër Abazit, nipit të Sadri Abazit.
Abazi është shpallur fitues për vlerën 129,808,930 lekë të reja pa TVSH ose gati 1.5 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Kjo shifër nga ana tjetër është sa 98.44% e fondit limit. Llogaritë bëjini vetë miq!
