Nis punën Njësia Policore Detare, Rama: Çdokush që shkel këtë mision do të marrë ndëshkimin maksimal
Njësia Policore Detare, e përbërë nga 104 punonjës nis punën sot, e cila pritet të sigurojë jetën e pushuesve në bregdetin shqiptar.
Njësia do t’i shërbejë edhe për monitorimin e të gjitha mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit, që përdorin hapësirën ujore shqiptare gjatë sezonit turistik veror.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në prezantimin e Njësisë së re në Lungomare të Vlorës, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Blendi Çuçi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, si dhe drejtues të lartë dhe efektivë të policisë.
104 punonjësit janë të përzgjedhur nga Policia Kufitare & Migracionit dhe Policia e Rendit, e trajnuar dhe e certifikuar nga specialistë të Rojës Bregdetare Shqiptare në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit & Migracionit.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij iu drejtua në mënyrë të prerë punonjësve që do të angazhohen në këtë detyrë, duke theksuar se çdokush që e shkel këtë do të përballet me ndëshkim maksimal.
Rama: Ky është mision, kjo nuk është thjeshtë një detyrë. Ky është një mision për popullin shqiptar, për kombin shqiptar, për shtetin shqiptar dhe çdokush që shkel një fije sensin e këtij misioni, çdokush që sillet padenjësisht me ata që vijnë në shtëpinë tonë apo që lëvizin nga shtëpia e tyre këtu, për të shkuar e për të pushuar, do të marrin ndëshkimin më maksimal sepse duhet të konsiderohet në pozicion armiqësor me këtë mision kombëtar, i padenjë për të qenë pjesë e kësaj force.
Rama solli në vëmendje edhe ngjarjen e rëndë të ndodhur një vit më parë në Potam, ku ish-polici Arjan Tase përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdia.
Rama: Akti kriminal i atij individi që turpëroi gjithë Policinë e Shtetit, që i uli kokën shtetit, që na bëri të gjithëve të skuqemi si asnjëherë tjetër, duhet t’ju shërbejë të gjithëve ju dhe duhet t’i shërbejë të gjithë punonjësve të Policisë si një kambanë që duhet t’i bjerë alarmit në kokë sa të dilni nga shtëpia e deri sa të ktheheni në shtëpi për të bërë jo të njëjtën gjë, por për të mos bërë asgjë nga ato që pastaj turpërojnë jo thjesht familjet tuaja, por turpërojnë gjithë bashkësinë e uniformave blu dhe turpërojnë gjithë shtetin shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



