Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë përplasur dje në Kuvend sa i takon mandatit të Arta Markut. Dje u zhvillua mbledhja e përbashkët e Komisionit të Ligjeve dhe e Këshillit për Legjislacionin, nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit. Të pranishëm ishin edhe dy ekspertët e PS e PD, të cilët kanë dhënë opinionin e tyre mbi procedurën që u zgjodh kryeprokurorja e përkohshme dhe për amendamentin kushtetues të opozitës për ndryshimin e procedurës për zgjedhjen e kreut të akuzës. Por teksa ishte duke folur në lidhje me procedurën e zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme, eksperti i PS zbuloi disa detaje në lidhje me KLP e KLGJ. Ai deklaroi se është mbyllur vetingu për kandidatët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa theksoi se këto dy organe pritet që të ngrihen brenda muajit prill. Madje, ai shtoi se brenda këtij muaji dhe në fillim të muajit mars me shumë gjasa do të mbyllet edhe seanca dëgjimore për prokurorët e gjyqtarët, të cilët janë në proces rivlerësimi nga organet e vetingut. “Procesi i vetingut për 60 gjyqtarë është mbyllur, ndërkohë që sipas raportimeve, seancat e para publike me 60 gjyqtarët dhe prokurorët e listës prioritare do të fillojnë të mbahen gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit mars. Dhe për rrjedhojë brenda muajit mars duhet të përfundojë vetingu për 6 prokurorët që garojnë për anëtarët të KLP, falë të cilitbrenda muajit prill 2018 do të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, deklaroi ai.
Por nga ana tjetër eksperti i PS i trembet faktit se gjatë procesit të vetingut mund të ngelen prokurorë, të cilët garojnë për KLP. Dhe në këto kushte sipas tij, mund të zvarritet nga një deri në 5 vjet ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili i hap rrugë zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë 7 vjeçar. Megjithatë për të zhbllokuar këtë situatë, mazhoranca ka një plan të cilin e zbuloi eksperti i saj kushtetues. Ai deklaroi se duke qenë se mandati i kryeprokurores Marku është i përkohshëm, PS ka menduar që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për t’i zgjatur mandatin Markut. “KLP varet nga vetingu. Pasi nëse njëri nga 6 anëtarët ngel, për rrjedhojë bllokohet ky organ, i cili propozon edhe Prokurorin e Përgjithshëm me mandat të plot 7 vjeçar. Në këto kushte ka një dispozitë tranzitore, ku ne i do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për interpretim, duke i kërkuar zgjatjen e mandatit të kryeprokurores Marku, meqenëse është e përkohshme”, nënvizoi eksperti i PS.
Ekspertët e PS-PD përplasen në Kuvend
Edhe pse mbledhja e djeshme e Këshillit të Legjislacionit ishte më shumë një seancë dëgjimore me ekspertët kushtetues të PS e PD, sërish ka pasur përplasje mes palëve. Kështu në të njëjtën linjë me PS, ishte edhe eksperti i thirrur prej saj në Këshillin e Legjislacionit, i cili ndau të njëjtin mendim se zëvendësimi i Markut me Prokurorin e Përgjithshëm me mandat të plot 7-vjeçar, do bëhet menjëherë pas ngritjes së KLP, ndërsa theksoi se nuk e sheh të arsyeshme që të miratohen ndryshimet kushtetuese që opozita kërkon, për të zgjedhur një tjetër Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm. “Zëvendësimi i Markut do bëhet menjëherë pas ngritjes së KLP-së”, tha ai. Ndërsa eksperti i thirrur nga opozita jovetëm që kundërshtoi kolegun socialist por theksoi se Marku u zgjodh në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas tij, një zgjedhje e rregullt e një prokurori të përkohshëm kërkon ndryshime në aktin themeltar të shtetit. “Procesi i realizuar është kryer në një boshllëk kushtetues, në një boshllëk ligjor”, tha ai.



