E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Një tjetër skandal tenderash në Bashkinë Tiranë: “Shporta e Bebes” mbush xhepat e oligarkëve
Lajme

Një tjetër skandal tenderash në Bashkinë Tiranë: “Shporta e Bebes” mbush xhepat e oligarkëve

Një tender i ri skandaloz ka dalë në dritë, duke vënë sërish në qendër të kritikave Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shporta e Bebes”, me një vlerë prej 24,840,000 lekë të reja pa TVSH (rreth 300 milionë lekë të vjetra me TVSH). Fitues i këtij tenderi është shpallur kompania FUFARMA, e kontrolluar nga oligarku i njohur Isuf Berberi, që zotëron 94.65% të aksioneve të saj.

Sipas dokumenteve të publikuara, ndonëse procedura tenderuese ishte “e hapur”, pjesëmarrja ishte e kufizuar vetëm në dy kompani, dhe fituese u shpall ajo që ofroi çmimin më të lartë. Oferta e FUFARMA-s kap pothuajse 99.96% të fondit limit, një përqindje që bie në sy si tregues i mungesës së konkurrencës dhe mundësisë për manipulim.

Shporta e korrupsionit

Procedura ka ngritur dyshime të forta për paracaktimin e fituesit dhe manipulimin e procesit. Për më tepër, fituesi, Isuf Berberi, është një emër që prej kohësh lidhet me afera korruptive dhe përfitime të dyshimta nga fondet publike.

Berberi nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare. Në të kaluarën, ai është përfshirë në një dëm të dokumentuar prej 1.5 milionë dollarësh ndaj shtetit, duke përdorur kompaninë Phoenix Petroleum, në ortakëri me Naim Kasën. Kjo kompani ka përfituar nga shfrytëzimi i puseve të naftës në Shqipëri, pa realizuar investimet e premtuara. Për këtë arsye, Berberi është akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda”. Megjithatë, ndonëse fillimisht u arrestua, ai arriti të shpëtojë nga drejtësia, duke ngritur dyshime për një mbrojtje të fortë politike.

Manipulime në dritë të diellit

Tenderi i “Shportës së Bebes” është një tjetër shembull i shfrenimit të korrupsionit dhe favorizimit të oligarkëve të lidhur me pushtetin. Mungesa e konkurrencës dhe shpallja fituese e ofertës më të lartë dëshmojnë për mungesë të plotë transparence. Për më tepër, zgjedhja e një personi si Isuf Berberi – një individ i diskredituar nga skandale të mëparshme – hedh dritë të zezë mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike në Bashkinë e Tiranës.

Pse hesht SPAK-u?

Fakti që tenderët në vlera të tilla astronomike shkojnë në duart e oligarkëve të njohur për manipulime dhe mashtrime shtetërore, ngre një pikëpyetje të madhe mbi rolin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, veçanërisht SPAK-ut. Si ka mundësi që një individ si Isuf Berberi, me të kaluar të tillë, vazhdon të fitojë tenderë publikë pa u shqetësuar nga ligji?

Kjo situatë përforcon perceptimin se drejtësia në Shqipëri mbetet e kapur nga pushteti dhe oligarkët, ndërsa qytetarët shqiptarë vazhdojnë të vuajnë pasojat e keqpërdorimit të fondeve publike.

Koha për veprim

Rasti i “Shportës së Bebes” duhet të hetohet urgjentisht nga organet kompetente. Heshtja e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera përballë këtyre skandaleve është një goditje e rëndë për çdo përpjekje për transparencë dhe drejtësi në Shqipëri.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.