Nuk i deklaruan në kufi, policia bllokon mijëra euro në Kakavijë
Dy raste të mosdeklarimit të parave në kufi janë zbuluar nga autoritetet në PKK Kakavijë, ku janë sekuestruar në total 25 950 euro. Për këtë rast janë proceduar penalisht dy shtetas që tentuan të kalonin kufirin pa deklaruar shumën e parave që mbanin me vete.
Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, kontrollet e detajuara të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare në pikën kufitare kanë çuar në goditjen e dy rasteve të veçanta të mosdeklarimit të të hollave.
Gjatë kontrollit në dalje të Shqipërisë, dy shtetas u kaluan për verifikim në vijën e dytë. Konkretisht, shtetasit:
-
F. V., 60 vjeç, banues në Berat, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën 10 950 euro të padeklaruara;
-
M. J., 54 vjeçe, banuese në Tiranë, në çantën e së cilës u zbuluan 15 000 euro që nuk ishin deklaruar në kufi.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokuroria e Gjirokastrës, ku ndaj dy shtetasve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Shumat e parave të gjetura janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa çështja i është kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Gjirokastër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



