O mbret, rrofsh sa malet e marrsh nga ditët e budallenjve!

Sot ke ditëlindjen, madhëri! Biologjikisht ta shtoftë Zoti jetën, politikisht vafsh në djall! Ke 28 vite që paguhesh me taksat e mia, që prej vitit të largët 1998, kur Nano të bëri ministër Kulture. Sot, në ditëlindjen tënde, dua të shkruaj pak radhë të sinqerta si kurrë më parë.
E para, ky 62-vjetor të gjen mbret, por në fund të iluzionit si lider ndërkombëtar nga një vend i vogël, që ka mbetur me rreth 2 milionë banorë – më të varfrit në Evropë, më të keqshkolluarit në Evropë, më të keqpaguarit, me gati gjysmën e popullsisë në pension, ku për 5 vite do t’u bashkohesh edhe ti, madhëri.
Për gati 13 vite me radhë, o mbret, ke qenë skenografi dhe aktori kryesor i një shfaqjeje të kuruar me mjeshtëri për audiencën perëndimore. U shite në kancelaritë e huaja si “politikani-artist”, ekscentriku me atlete që fliste gjuhën e progresit në një rajon të lodhur nga tranzicioni. Shpura e burokratëve të Evropës të besoi, edhe nga llokmat e bakllavasë shqiptare që u rrasje në gojë.
Por sot, në ditëlindjen tënde, ky imazh i lustruar në copa Shqipërie po thërrmohet përballë një realiteti të pashmangshëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ajo që bota po e njeh si “Revolucioni i Flamingove” nuk është thjesht një protestë e radhës; është momenti i thyerjes së madhe të narrativës. O mbret, sot je vërtet lakuriq. Jo vetëm para flamingove, por ja dole të bësh pis edhe familjen e njeriut më të fuqishëm të botës me paçavure-projektin e Zvërnecit, që vetëm ti di ta bësh kaq mjeshtërisht çorbë sheikësh, arturshehësh dhe baronësh të Arubës.
O mbret, zullumi është bërë sa 1000 kullat e Shtufit!
Kjo pak rini që ka mbetur të urren, bashkë me sistemin më të korruptuar, klientelizmin e alibabahajdutëve dhe arrogancën “Maliqi” të shtetit tënd privat.
O mbret, sot je cullak jo vetëm nga hendeku mes opinionit publik në Shqipëri dhe perceptimit në vendet kryesore të BE-së, por sepse Brukseli nuk po “e mbyll më një sy”, duke e trajtuar Shqipërinë si një çështje dytësore.
Merita kryesore e “Revolucionit të Flamingove” është se arriti të bëjë atë që opozita politike e Luli Bashës dhe e Doktorit (tashmë me vizë amerikane) dështoi me sukses ta bënte për një dekadë! E përktheu problemin shqiptar në gjuhën ndërkombëtare live, po deshe edhe në Amerikën e Kushnerit dhe Ivanka Trumpit.
Në jetë, secili nga ne e bën një bilanc të vogël: pas 14 viteve si kryeministër, gjykatës, prokuror, piktor, model, influencues, gangster, shok banditësh, inxhinier topograf, kryeredaktor e ku ta di unë se sa tituj i provove në këto vite mbretërimi, ke një bilanc të thjeshtë që po e rreshtoj me pak fakte:
Popullsia rreth 2 milionë banorë. Trashë-trashë, rreth 800 mijë pensionistë. Rreth 200 mijë administratë e pjesës tjetër! Rroga mesatare si në Afrikë, çmimet si në Bochum të Gjermanisë, ku u shite mend për Inteligjencën Artificiale dhe digjitalizimin e Zeqine Çaushit.
Sot, gazetarët e huaj që vijnë në terren nuk gjejnë më “parajsën e liderit të shquar” (siç e cilësonte dikur Sekretari amerikan Blinken), por prekin një realitet ku zhvillimi dhe projektet e mëdha janë të lidhura me pastrimin e parave të pista dhe shkatërrimin e zonave të mbrojtura.
Mediat ndërkombëtare nuk të lexojnë më si ekscentrik ballkanik me atlete, tuta dhe batuta, por si një lider që ushtron pushtetin e një padishahu në mes të Evropës.
O mbret, je cullak sepse Perëndimi nuk të shikon më si lider modern, por si një palo autokrat ballkanik që nxjerr vendin në shitje për të garantuar mbijetesën politike, dhe kjo të ka ndodhur pikërisht në këtë 62-vjetor.
O mbret, protestuesit kanë dalë për çështje jetike: mungesë llogaridhënieje, betonizim të atdheut me para droge dhe zhvatje të pasurive publike etj.
Ora e zullumit nuk ka kthim, është çështje kohe, ashtu si ora biologjike. Edhe mbretërit e kanë orën e tyre. Prapë ke kohë të shkosh në katund, merre dhe Doktorin me vete; çfarë deshe e more nga ky popull i varfër! Atdheu ynë çfarë nuk ka parë e përcjellë në shekuj – si ti, si Doktori e plot edepsëzë e gjakprishur!
Edhe 100, o mbret i 2 milionë njerëzve më të varfër në Evropë, pa arsim, pa drejtësi, pa media, me parlamentin e Zeqinesë, dhe akoma me Akademinë e Shkencave të Gjinushit. Me qeverinë më të korruptuar, me bashkitë më të korruptuara, me opozitën zyrtare të Doktorit legjendar. Shqipëria dhe ekonominë e degdisut në dorë të 10 oligarkëve dumbadumë, ndaj protesta e 35 ditëve me radhë minimalisht po të gremis pa kthim nga posti. Sot festo me një gotë verë nga ajo e Gysit! Edhe 100, o mbreti i një kombi që rrezikon të shuhet!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



