E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Operacioni me 115 te arrestuar, biznesmenë e punonjës
Lajme

Operacioni me 115 te arrestuar, biznesmenë e punonjës

Policia e Shtetit arrestoi 115 persona dhe procedoi në gjendje të lirë 24 të tjerë, pas një hetimi 7-mujor për ushtrimin dhe organizimin e lotarive dhe basteve sportive.

Pas operacionit të zhvilluar gjatë momenteve që luheshin ndeshjet e “Europa Leage” u sekuestruan dhe shuma të mëdha monetare, kompjuterë të lojërave të fatit, armë dhe celularë. Ndër personat që u arrestuan ishin administratorët dhe menaxherët e lokaleve ku zhvilloheshin lojërat e fatit: Gramoz Murataj, Ervin Frashëri, Isuf Tato, Igli Oboni, Elvis Mulaj, Denis Hysko dhe Erdian Myftari. Burime thanë se Murataj është një ndër personat kryesorë i implikuar në këtë aktivitet.

Ndërkohë, në pranga sipas Policisë ka rënë edhe vëllai i kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj, Elvis Mulaj. “Janë sekuestruar shuma të mëdha parash, kompjuterë të lojërave të fatit, armë zjarri, dhjetëra aparate celulare e aksesorë të tjerë, që shërbenin për organizimin dhe implementimin e aktivitetit kriminal. Ndër të arrestuarit janë edhe disa nga organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie të paligjshme, që sipas parashikimeve të Kodit Penal, dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg”, njoftoi dje Policia.

HETIMET

Hetimet për këtë dosje kanë nisur në vitin 2019 pas informacioneve të dhëna nga qytetarë në Policinë e Shtetit. Kjo e fundit ka referuar materialet në Prokurori, ku është regjistruar procedimi penal dhe është kryer hetim me metoda speciale, si përgjime dhe vëzhgime. Hetimet u shtrinë më pas në disa qytete të vendit dhe është dokumentuar sipas Policisë në 7 prej tyre. “Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe nga informacionet e adresuara nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produktit të veprës penale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë regjistroi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë procedimin penal nr. 5431 të vitit 2019. Pas një pune procedurale dhe hetimore, duke aplikuar format dhe metodat speciale të hetimit, u arrit të dokumentohej aktiviteti kriminal në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Lezhë e Shkodër”, shkruhet në njoftim.

ARRESTIMET

Gjatë operacionit për arrestimin e personave të implikuar në këtë veprimtari morën pjesë 1540 forca policore dhe u krye njëkohësisht në 7 qytete. Prokuroria e Tiranës kishte marrë urdhërkontrolle në Gjykatë për shumë ambiente, ky dyshohej se ushtrohej aktiviteti kriminal. “Në këtë kuadër u organizua operacioni policor i koduar ‘Fati i lojërave’, i cili u zhvillua në të njëjtën kohë në të 8 qarqet e sipërpërmendura, nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Gjatë operacionit, i cili u zhvillua në kohën e zhvillimit të ndeshjeve të futbollit të Europa League, u përfshinë 1540 forca policore nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Sigurinë Publike, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Berat, Fier, Korçë, Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe FNSH-të Tiranë, Fier e Shkodër. Në Tiranë dhe në qarqe u ushtruan 486 kontrolle në lokale dhe ambiente, ku dyshohej se zhvillohej kjo veprimtari kriminale”, shkruhet në njoftim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.