E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Operacioni “URA”  nxjerr në pah  përplasjen Troplinët-Dako
Lajme

Operacioni “URA” nxjerr në pah përplasjen Troplinët-Dako

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja në lidhje me megaoperacionin “URA”, i cili ka çuar në shpalljen e 29 urdhër-arresteve në Shqipëri dhe Itali. E ftuar në një intervistë për MCN TV, ajo ka ngritur dyshime serioze për përfshirjen e grupit të njohur si “Troplinët” në proceset zgjedhore në vend, përfshirë shitblerjen e votës dhe favorizimin e kandidatëve të listave të hapura, megjithëse, sipas saj, mungojnë provat konkrete për këto akuza.

Sipas Lalës, akuzat nuk janë të reja: opozita i ka artikuluar prej kohësh, ndërsa ajo vetë ka hasur në indicie të forta që tregojnë një përfshirje aktive të këtij grupi kriminal në mbështetjen e kandidatëve të caktuar gjatë fushatave të fundit zgjedhore.

Por më shqetësues është, sipas saj, një përplasje e fortë mes grupit të Troplinëve dhe atij të Vangjush Dakos, ish-kryetar i Bashkisë Durrës, për ndikimin mbi listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale të vitit 2027. Kjo përplasje lidhet me përfitimet dhe kontrollin mbi bashkinë bregdetare, që duket se mbetet një bastion me interes të lartë për botën e krimit dhe politikës.

Prapaskenat e një operacioni të dakordësuar ndërkombëtarisht

Operacioni “URA” është fryt i një hetimi të gjatë dhe të koordinuar mes SPAK dhe Antimafias italiane. Prokuroria e Posaçme i është drejtuar gjykatës që në muajin mars për 29 masa sigurie, por gjyqtari ka kërkuar kohë shtesë për arsyetimin e vendimit. Zyrtarisht, vendimi është arsyetuar më 5 maj, vetëm një javë përpara zgjedhjeve.

Në datën 7 maj është zhvilluar një takim në distancë mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, ku është vendosur që operacioni të finalizohej më 21 maj. Arsyeja? Një ngarkesë e dyshuar droge nga Ekuadori, që po ndiqej në atë kohë nga agjencitë ligjzbatuese.

Mekanizmi i pastrimit të parave dhe trafikut nga Italia në Shqipëri

Gazetarja Lala tregon se ky është një nga grupet kriminale më të sofistikuara, që ka mbijetuar për vite me radhë përballë hetimeve të SPAK dhe policisë. Vetëm në vitin 2024 janë sekuestruar 3 milionë euro, ndërsa skema e transportit të parave përmes shoferëve të besuar dhe mjeteve të modifikuara ishte tejet e sofistikuar.

“Një autobus që nisej nga veriu i Italisë me vetëm 10 pasagjerë, mbante në fakt miliona euro të futura në vende të posaçme”, tregoi gazetarja, duke shtuar se janë evidentuar 13 episode të transferimit të parave të pista nga organizata të fuqishme mafioze në Itali drejt Shqipërisë – të ardhura nga trafiku i drogës.

Operacioni “URA” pritet të trazojë jo vetëm rrjetin kriminal, por edhe marrëdhëniet politike lokale që, siç sugjerojnë të dhënat, mund të jenë përdorur si mburojë për të fshehur aktivitetin kriminal ndër vite.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.