“OPGJ-të sekserë të prokurorëve”, Olsian Çela bën “sehir”
Pas shqetësimit të ngritur publikisht nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, lidhur me problematikat në hetimet e kryera nga oficerët e policisë gjyqësore (OPGJ), edhe ish-prokurorë dhe avokatë konfirmojnë se kjo situatë mbetet shqetësuese dhe e përhapur.
Sipas ekspertëve të drejtësisë, në një sërë rastesh janë evidentuar praktika të papranueshme, ku operatorë të policisë gjyqësore dyshohet se kanë luajtur rolin e ndërmjetësit mes prokurorëve dhe palëve të interesuara.
Avokati Alban Duraj thekson se problematika nuk kufizohet vetëm te mungesa e profesionalizmit, por përfshin edhe raste të dyshuara korrupsioni, të cilat cenojnë drejtpërdrejt integritetin e sistemit të drejtësisë.
“Kryerja e shkeljeve të tjera, si në shumë raste që ne kemi parë, pra kryerja e veprave penale, siç mund të jetë korrupsioni pasiv, ku në shumë çështje oficerët e policisë gjyqësore kanë dalë si sekserë të prokurorëve për mbylljen e çështjeve, edhe pse prokurorët në shumicën e rasteve nuk kanë marrë një dënim apo nuk janë dënuar, është ndërprerë hetimi te oficeri i policisë gjyqësore”, u shpreh Duraj.
Ai shton se cilësia e dobët e hetimeve lidhet ngushtë edhe me faktorë strukturorë, si mbingarkesa e madhe në punë dhe mungesa e burimeve të nevojshme për një funksionim eficient.
“Hetimet janë difektoze për shkak të një ngarkese shumë të madhe që kanë oficerët e policisë gjyqësore, të cilët kanë një numër të reduktuar të stafit të tyre. Gjithashtu, mungon infrastruktura, pasi kemi një infrastrukturë që lë shumë për të dëshiruar, si për sa i përket godinave ku ata ndodhen, ashtu edhe pajisjeve, teknologjisë, si kompjuterët apo mjetet e tjera ndihmëse”, deklaroi ai.
Edhe pse vetë Prokurori i Përgjithshëm ka pranuar publikisht se hetimet e kryera nga OPGJ-të përballen me probleme serioze, deri në këtë fazë nuk është bërë publik asnjë plan konkret masash apo ndërhyrje për të adresuar këto shqetësime në mënyrë të strukturuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



