E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Paralajmëron Çela: Administrata dhe paratë e pista, në shënjestër
Lajme

Paralajmëron Çela: Administrata dhe paratë e pista, në shënjestër

Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, u përgjigj sot në Kuvend pyetjeve të deputetëve mbi një sërë çështjesh që lidhen me funksionimin e Prokurorisë. Ai komentoi rastin e arrestimit të një avokati në Elbasan, duke theksuar se masa ekstreme nuk duhet të përdoret menjëherë dhe se arresti duhet të jetë zgjidhja e fundit, pasi ekzistojnë forma të tjera të hetimit.

Çela shpjegoi se Prokuroria po përpiqet të ulë përdorimin e masave ekstreme dhe se çdo vendim për arrest duhet të bëhet me kujdes dhe në përputhje me procedurat ligjore. Ai theksoi gjithashtu se për rastin në fjalë është ndërhyrë edhe nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) për të verifikuar veprimet e kryera.

Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me hetimet për pastrimin e parave, Çela bëri të ditur se ka një rritje të numrit të të pandehurve dhe procedimeve penale, si dhe se po intensifikohen hetimet mbi pasuritë e paluajtshme. Ai shtoi se bashkëpunimi me Drejtorinë e Tatimeve dhe doganat duhet të përmirësohet për të siguruar rezultate më të mira.

Për përdorimin e administratës në aktivitetet politike, Çela njoftoi se kanë nisur hetime në disa prokurori rrethi, duke u mbështetur në dispozitat ligjore, dhe se rezultatet do të shpallen pas përfundimit të tyre.

Ai iu përgjigj gjithashtu pyetjeve për çështjen e gjyqtares Irena Gjoka, e cila u dënua në Greqi dhe nuk e deklaroi këtë fakt në procesin e vettingut. Çela tha se kjo përbën vepër penale dhe ka sanksione ligjore, ndërsa hetimi përfundimtar do t’i dorëzohet organit kompetent.

Sa i përket ndërtimeve pa leje, Çela njoftoi se aktiviteti i prokurorisë ka pësuar rritje, me mbi 1,100 procedime në 2024, 207 të pandehur dhe 400 persona të dënuar, ndërkohë që hetimet ndaj zyrtarëve që nuk kanë kryer detyrën vazhdojnë.

Në fund, Çela ndau të dhëna për referimet e kallëzimeve penale, duke theksuar se nga 127 raste të raportuara në vitin 2025, 72 janë nga Policia, 10 nga subjektet politike, 7 nga individët, ndërsa 27 raste kanë ardhur nga SPAK. Ai shtoi se cilësia e referimeve mbetet një sfidë dhe duhet të përmirësohet për të siguruar rezultate efektive në hetime.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.