Olsian Çela ankohet në Kuvend: Operojmë me numër të ulët prokurorësh
Në seancën e sotme në Kuvend pritet të raportojnë Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, mbi raportin vjetor për vitin 2024.
Çela theksoi se viti i kaluar ishte sfidues për Prokurorinë e Përgjithshme, kryesisht për shkak të numrit të ulët të prokurorëve dhe ndikimit të procesit të vetingut. Megjithatë, ai vuri në dukje se përpjekjet dhe profesionalizmi i stafit, së bashku me bashkëpunimin me Prokurorinë e Posaçme, Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë, sollën rezultate të prekshme në hetime dhe përmirësimin e drejtësisë penale.
Në fokus të raportit janë prioritetet institucionale për vitet në vijim, përfshirë rritjen e hetimeve proaktive, përdorimin e teknikave të posaçme hetimore, luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, korrupsionit, dhunës në familje dhe krimeve kibernetike. Çela gjithashtu nënvizoi nevojën për ndërhyrje ligjore për të ndëshkuar format e reja të dhunës online, përfshirë shpërndarjen e imazheve intime.
Nga raporti statistik, rezulton se gjatë vitit 2024 janë regjistruar:
-
155 procedime penale të filluara kryesisht nga prokuroria, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2023.
-
251 procedime për pastrim parash, me rritje 59%.
-
Sekuestrime pasurish me vlerë mbi 48 milion euro.
-
1,656 çështje për dhunë në familje, me rritje 18.6% krahasuar me 2023.
-
161 procedime për krime seksuale, me rritje 30%.
-
381 procedime për krim kibernetik, me një rritje prej 5%.
Çela theksoi gjithashtu se bashkëpunimi i thelluar me SPAK, Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë ka qenë një faktor kyç në rritjen e efikasitetit të hetimeve dhe zbatimin e drejtësisë penale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



