Orbanit nuk ‘ia kërcet’ për BE-në, i kërkon Putinit naftë dhe gaz
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka zhvilluar të premten një takim zyrtar me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin, duke sfiduar edhe një herë përpjekjet e Bashkimit Evropian për ta izoluar Moskën që prej pushtimit të Ukrainës pothuajse katër vjet më parë.
Kjo shënon vizitën e tij të dytë në Rusi brenda një viti, ndërsa Orban konsiderohet gjerësisht si drejtuesi evropian më i afërt me Putinin.
Hungaria mbetet ndër të paktat vende të BE-së që vazhdon të importojë sasi të konsiderueshme të karburanteve fosile nga Rusia, duke kundërshtuar haptazi nismat e bllokut për të reduktuar varësinë energjetike nga Moska.
“Ne kemi fusha të rëndësishme bashkëpunimi dhe nuk kemi hequr dorë nga asnjëra prej tyre, pavarësisht presionit të jashtëm”, tha Orban, duke theksuar se energjia ruse mbetet baza e furnizimit të Hungarisë, “tani dhe në të ardhmen”.
Në fjalën e tij hapëse, Putin vlerësoi “qëndrimin e balancuar” të Orbanit për luftën në Ukrainë.
Para nisjes drejt Moskës, Orban deklaroi për radion shtetërore hungareze se fokusi i vizitës do të jetë sigurimi i furnizimit me naftë dhe gaz rus, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së ndaj sektorit energjetik rus. Ai konfirmoi se Budapesti ka kërkuar dhe ka marrë një përjashtim nga Uashingtoni për këto transaksione.
Hungaria argumenton se çmimet e larta të energjisë dëmtojnë ekonominë dhe familjet evropiane, ndërsa furnizimet më të lira nga Rusia i lejojnë vendit të mbajë të ulëta kostot e shërbimeve për qytetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



