Orikum, burri mbyt gruan pastaj dhe veten
Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në Orikum. Një burrë dyshohet se ka vrarë ish-bashkëshorten e tij, e cila u gjet pa shenja jete në banesën e saj nga fëmijët. Viktima, rreth 40 vjeçe, Sose Xhebro, kishte vetëm tre muaj që ishte divorcuar nga bashkëshorti.
Sipas të dhënave paraprake, autori i dyshuar është ish-burri i saj, Llogora Xhebro, i cili më pas dyshohet se i ka dhënë fund jetës vetëm pak metra larg banesës së ish-gruas.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje të rende.
Njoftimi i policisë:
Orikum/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.
Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.
Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


