Pa paga, pa zë dhe në vijën e parë, pastaj thonë pse ikin në Gjermani
Paratë mungojnë për rrogat, jo për skandalet
Infermierët dhe stafi mjekësor vazhdojnë të jenë shtylla e heshtur e spitaleve shqiptare, por edhe këtë herë po përballen me një realitet të njohur: punë pa ndërprerje, përgjegjësi maksimale dhe paga që nuk vijnë. Edhe pse jemi në fund të janarit, paga e muajit dhjetor 2025 ende nuk është kaluar, pa asnjë sqarim zyrtar dhe pa asnjë afat.
Në vijën e parë çdo ditë, përballë urgjencave, mungesave të theksuara të personelit dhe lodhjes kronike, punonjësit e shëndetësisë gjenden sërish në pritje. Askush nuk u tregon pse vonohet paga, askush nuk del të mbajë përgjegjësi dhe askush nuk jep një shpjegim minimal për njerëz që jetojnë nga paga mujore. Heshtja institucionale është bërë po aq e zakonshme sa vetë vonesat.
Në korridoret e spitaleve pakënaqësia është e pranishme, por zëri mungon. Frika nga presionet, nga transferimet arbitrare apo largimi nga puna, i ka kthyer shumë punonjës në heshtës të detyruar. Strukturat që teorikisht duhet t’i mbrojnë duken shpesh të pafuqishme ose selektive, ndërsa premtimet për rritje pagash mbeten simbolike, pa ndikuar realisht në jetën e përditshme të personelit shëndetësor.
Kjo pasiguri e vazhdueshme nuk është thjesht problem financiar, por goditje direkte ndaj dinjitetit profesional. Kur puna në kushte të vështira shoqërohet me mungesë respekti dhe mungesë sigurie ekonomike, largimi pushon së qeni zgjedhje dhe kthehet në domosdoshmëri.
Pikërisht këtu fillon rruga drejt Gjermanisë. Jo nga dëshira për luks, por nga nevoja për stabilitet. Mjekë dhe infermierë shqiptarë nuk ikin sepse duan “më shumë”, por sepse duan minimumin: pagë të sigurt, kontratë të qartë, kushte pune dinjitoze dhe respekt profesional. Në Gjermani, paga vjen në datë, orari respektohet dhe puna vlerësohet. Në Shqipëri, shpesh mbetet vetëm fjala “sakrificë”.
Largimi masiv ka lënë pas spitale gjithnjë e më të boshatisura, turne të pambuluara dhe ngarkesë edhe më të madhe për ata që ende rezistojnë. Paradoksi është i hidhur: sa më shumë largohen, aq më e rëndë bëhet barra për ata që qëndrojnë, duke i shtyrë edhe ata drejt të njëjtës rrugë.
Dhe ndërsa autoritetet vazhdojnë të flasin për reforma, strategji dhe premtime të reja, realiteti në terren është krejt tjetër. Pa paga në kohë, pa zë dhe në vijën e parë, infermierët dhe mjekët vazhdojnë të mbajnë sistemin në këmbë, derisa një ditë të mbyllin turnin e fundit dhe të marrin një biletë njëkahëshe. Pastaj lind sërish pyetja që bëhet çdo vit, me të njëjtin cinizëm: pse ikin në Gjermani?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



