Paç fatin e … Erion Veliajt!

Me SPAK apo pa SPAK, Shqipëria krijon një mjedis gati ideal për të mbrojtur zyrtarët e lartë të korruptuar, në ushtrimin e profesionit të vjetër dhe të urryer të hajdutit. Shembulli tipik vjen nga Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë më të madhe të vendit.

Këtë të enjte, dy nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë përfunduan pas hekurave pas një denoncimi të bërë në SPAK gati një vit më parë dhe raportime mediatike të mëhershme për aferat që gëlonin në zyrat e bashkisë. SPAK faktoi ato që diheshin publikisht prej një kohe të gjatë. Konfirmoi skemën bastarde përmes së cilës dy drejtorët dhe njëkohësisht njerëzit e besuar të Veliajt, si titullarë të Ujësjellësit, i dhanë tendera vetes duke përdorur një kompani që me letra kishte pronarë të tjerë. Por, që të vërtetët bosët ishin ata të dy. Kontrata prokurimi në shkelje ligjore, kompania e dy drejtorëve mori dhe nga Bashkia e Tiranës , “Tirana Parking” e Klubi Sportiv “Tirana”, nën varësi të institucionit të drejtuar nga Erion Veliaj.

Për të gjitha këto u arrestuan dy drejtorët dhe zyrtarë apo ish zyrtarë të tjerë nën Veliajn. Edhe për tenderat e marra në shkelje me ligjin nga Bashkia Tiranë, prokurori Klodian Braho nuk akuzoi të vetëshpallurin “topehekur”, por Taulant Tushen. Një ish-drejtor të arrestuar më herët për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Erion Veliaj shpëtoi! Deri në këtë fazë të hetimeve ai del i pafajshëm. Korrupsioni gatuhet në zyrat e bashkisë dhe era kundërmon, por, sipas SPAK, Veliaj nuk nuhat, nuk shef dhe nuk dëgjon.

Këtë konstatim pati Prokuroria e Posaçme edhe për dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Arben Ahmetaj, ish-numri dy i qeverisë dhe njeriu që i njeh allishverishet e kësaj kupole ndoshta më mirë se asnjë tjetër, foli me siguri disa javë më parë, kur e drejtoi gishtin nga kryebashkiaku i Tiranës.

Në një intervistë televizive, ai tha qartë se pronari faktik i inceneratorit të Tiranës është Erion Veliaj. Provat e depozituara në SPAK sugjerojnë të njëjtin përfundim: Pas gjithë aferës ndoshta më të madhe korruptive të historisë së Shqipërisë së pas diktaturës, është ai: Erion Veliaj.

Por, edhe në atë rast, siç e cekëm më lart, SPAK e gjeti fajtorin te Taulant Tushe, ish-drejtori që duket se ka bërë paqe me veten që “ta hajë” për hir të shefit.

Erion Veliaj, ndërkohë, sërish i pafajshëm.

Në këto raste, përshtatet shprehja që kumton populli ynë i urtë: Paç fatin e ku*vës!

E përshtatur me realitetin e sotëm mund të moderohet në: Paç fatin e … Erion Veliajt!/ Gijotina

Publikuar nga Publik Media