Paga e 13-të me Inteligjencë Artificiale, metoda epike greke për nëpunësit
Të paktën 25 mijë nëpunës civilë në Greqi pritet të përfitojnë bonuse deri në 2 mijë euro gjatë këtij viti, në bazë të një sistemi vlerësimi dhe përzgjedhjeje që mbështetet te Inteligjenca Artificiale.
Ministria e Brendshme greke ka bërë të ditur se po përgatit dhënien e një bonusi për punonjësit më të spikatur të sektorit publik, në formën e pagës së 13-të, si pjesë e zbatimit të përgjithshëm të bonusit të produktivitetit për vitin 2025.
Ministri i Brendshëm, Thodoris Livanios, së bashku me zëvendësministren përgjegjëse, Vivi Charalambogianni, kanë miratuar dyfishimin e fondit të dedikuar për këtë qëllim, duke e çuar shumën totale në 40 milionë euro. Sipas planit përfundimtar, pagesat shtesë do të shpërndahen gjatë muajve të parë të vitit 2026.
Shpërblimi për përfituesit do të nisë nga 1,250 euro dhe në raste të veçanta mund të arrijë deri në 2,000 euro. Përfituesit janë drejtues dhe punonjës kyç që shërbejnë në 99 institucione publike, si edhe në shërbime kritike të bashkive në të gjithë vendin.
Sipas mediave greke, objektivat e performancës janë përcaktuar tërësisht me ndihmën e Inteligjencës Artificiale dhe sipas metodologjisë SMART. Vlerësimi bëhet përmes një sistemi matës të performancës, ndërsa të dhënat përpunohen dhe regjistrohen në Sistemin e Informacionit të Shpërblimit.
Përzgjedhja përfundimtare e punonjësve përfitues dhe përcaktimi i shumës së bonusit kryhet nga drejtuesit e linjës dhe jo nga lidershipi politik, në përpjekje për të garantuar transparencë dhe objektivitet në proces.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



