Pagoi padrejtësisht burrin e Arta Markut?
Një kërkesë rutinore e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, mund të nxjerrë në dritë një skandal abuzimi që përfshin Ylli Pjetërnikaj, ish-drejtuesin e komanduar të Prokurorisë së Shkodrës, aktualisht kandidat për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe bashkëshortin e ish-Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.
Pak ditë më parë, Çela ka kërkuar nga strukturat e varësisë që të dërgojnë pranë Prokurorisë së Përgjithshme statistikat mbi procedimet penale për vitin 2019.
Në raportin vjetor, ndër të tjera, përfshihet edhe ngarkesa e çdo prokurori dhe oficeri të Policisë Gjyqësore të seksioneve të prokurorive lokale.
Kjo kërkesë duket se ka vënë në një situatë të pazakontë Prokurorinë e Shkodrës.
Duke nisur nga viti 2018 e deri në korrik 2019, Prokuroria e Shkodrës është drejtuar nga Ylli Pjetërnikaj, i komanduar në kundërshtim me ligjin nga ish-kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku.
Gjatë mandatit të tij, ai ka pasur në varësi edhe oficerin e Policisë Gjyqësor, Erin Çaku, bashkëshort i Arta Markut, i cili kryente funksionet e tij prej disa vitesh në Shkodër.
Burime nga prokuroria e qytetit verior deklaruan se të paktën në periudhën Janar-Korrik 2019, bashkëshorti i Markut, Erin Çaku, është paguar rregullisht nga Pjetërnikaj, megjithëse nuk është paraqitur në punë.
Burimet e redaksisë, duke ngritur dyshime të forta për “Shpërdorim detyre” me pasoja të rënda financiare nga Pjetërnikaj për këtë rast, deklarojnë se mungesa e oficerit të Policisë Gjyqësore Çaku verifikohet lehtësisht nëpërmjet Ttronik të hyrje-daljeve në godinë, kamerave të sigurisë, por edhe punës konkrete mbi dosjet hetimore.
Sipas këtyre burimeve, Erin Çaku nuk ka kryer asnjë punë, megjithëse ka qenë i përfshirë edhe në grafikun e gatishmërisë për periudhë 6-mujore, Janar-Korrik 2019.
Ylli Pjetërnikaj, prokuror me emërim në Lezhë, u caktua në postin e drejtuesit të Prokurorisë së Shkodrës në Qershor 2018, me firmë të ish-Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, megjithëse nuk plotësonte kriterin ligjor të vjetërsisë në punë.
Pjetërnikaj qëndroi në krye të Prokurorisë së Shkodrës, si i komanduar, deri në Korrik 2018, kur, me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u caktua përkohësisht si prokuror i thjeshtë në Tiranë.
Gjatë të gjithë periudhës që drejtoi Prokurorinë e Shkodrës, në varësinë e tij kishte edhe oficerin e Policisë Gjyqësor, Erin Çaku, bashkëshort i Arta Markut.
Në fund të Korrikut 2019, në të njëjtën kohë me Ylli Pjetërnikaj, u largua nga Prokuroria e Shkodrës edhe Erin Çaku, i cili u caktua përkohësisht, me firmën e bashkëshortes së tij Arta Marku, në Prokurorinë e Durrësit.
Aktualisht, prokurori Ylli Pjetërnikaj është një ndër 18 kandidatët zyrtarë për të marrë postin e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ndërkohë që, nëse raporti vjetor i Prokurorisë së Shkodrës konfirmon se Pjetërnikaj ka abuzuar me detyrën, duke paguar padrejtësisht oficerin e Policisë Gjyqësor, Erin Çaku, kjo situatë mund ta vendosë atë në pozitën e personit të hetuar për “Shpërdorim detyre”./Boldnews.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



